Rektori Qerimi pret në takim gjeneralmajorin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia

01 Mars 2023
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Qerim Qerimi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka pritur në takim komandantin e misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia.

Në këtë takim u ritheksua gatishmëria për komunikim, koordinim të veprimeve dhe bashkëpunim të ngushtë në projekte të dobishme për studentët dhe komunitetin.

Mirëseardhje në rektoratin e UP-së delegacionit nga KFOR-i i shprehu rektori, prof. dr. Qerim Qerimi. Në këtë takim, rektori shpalosi një sërë projektesh, në të cilat do të mund të bashkëpunohej ndërmjet palëve në të ardhmen, ndërkaq falënderoi KFOR-in për mbështetjen e deritashme që i ka dhënë UP-së, nëpërmjet donacioneve në departamente specifike.

Nga ana tjetër, gjeneralmajori Ristuccia tha që ndër prioritetet e tij është krijimi i kushteve të duhura për një të ardhme më të mirë të njerëzve. “Interesi ynë parësor është mbyllja e hapësirave boshe dhe promovimi i respektit të ndërsjellë. Në këtë drejtim, mund të punojmë së bashku, duke organizuar punëtori apo konferenca të ndryshme”, tha ai.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe ligjërueset nga Departamenti i Gazetarisë, prof. ass. Remzie Shahini-Hoxhaj dhe ass, Blerta Blakaj, si dhe këshilltaret për çështje ligjore nga KFOR-i, të cilat diskutuan idetë dhe progresin aktual në organizimin e një konference, e cila do të adresojë temën e grave në fushën e sigurisë.

Palët u dakorduan për zgjerim të bashkëpunimit dhe për takime në të ardhmen e afërt, në adresim të çështjeve me rëndësi për palët.