Studimet shqiptare janë kthyer në qendër të studimeve rajonale në Regensburg, Gjermani, falë projektit seeFField A small but fertile field: Strengthening Southeast European Studies in Regensburg” / Një fushë e vogël, por e frytshme: Fuqizimi i Studimeve të Evropës Juglindore në Regensburg, projekt ky i Universitetit të Prishtinës, në partneritet me Universitetin e Regensburgut.
Ky projekt financohet nga Volkswagen dhe Universiteti i Regensburgut në shumën mbi 1.4 milion euro dhe synon të nxjerrë në pah studimet mbi Evropën Juglindore.
Për të diskutuar lidhur me këtë projekt, rektori i UP-së ka pritur në takim profesorin e antropologjisë sociale, dr. Ger Duijzings, dhe koordinatoren lokale të këtij projekti, prof. asoc. dr. Vjollca Krasniqin. Në këtë takim, rektori ka konfirmuar mbështetjen e tij dhe të UP-së, për realizimin e suksesshëm të këtij projekti, teksa e ka përgëzuar ekipin e tij për punën e realizuar deri më tani.
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, profesori Duijzings, ndër të tjera, ka organizuar ligjëratë para stafit dhe studentëve të UP-së, me temën "Nëse makinat mund të ecin: rrugët postsocialiste mes qarkullimit dhe miqësisë". Duijzings është njëherësh lider i projektit dhe antropolog që ka bërë studimet doktorale në Kosovë, Bosnjë, Rumani e së fundi edhe në Shqipëri. Studimet shqiptare kanë filluar të dalin në hartën e studimeve evropiane dhe ky projekt është një hallkë e rëndësishme për të kthyer vëmendjen kah Kosova, Shqipëria e rajoni.

Pjesa më dinamike e projektit Një fushë e vogël, por e frytshme: Fuqizimi i Studimeve të Evropës Juglindore në Regensburg u dedikohet studimeve shqiptare, përmes të cilit, shqipja do të jetë gjuhë që mësohet në Universitetin e Regensburgut. Projekti në fjalë parasheh zhvillimin e mobiliteteve të stafit, mbledhjen e fondeve për doktoratë në fushën e antropologjisë, historisë dhe gjuhësisë së viseve shqiptare dhe gjithë rajonit, fonde për hulumtime, studime postdoktorale e shumë mundësi të tjera.
Po ashtu, Universiteti i Prishtinës dhe Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit janë partnerët kyç në këtë përpjekje për të rivitalizuar studimet shqiptare në një qendër universitare gjermane siç është Regensburgu.
Për më shumë informata rreth projektit shih: https://seeffield.app.uni-regensburg.de/
