Vihet gurthemeli i ndërtimit të objektit të FSHMN-së

23 Shkurt 2023
SHARE

Në zonën e Fakultetit Teknik, u vu sot gurthemeli i ndërtimit të objektit të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore. Objekti i këtij fakulteti, në të cilin aktualisht studiojnë mbi 2 mijë studentë, planifikohet të finalizohet në gusht të vitit 2024.

Nisjen e ndërtimit të këtij objekti e përshëndeti rektori, prof. dr. Qerim Qerimi. Ai theksoi se me vënien e këtij gurthemeli, po nisim ndërtimin e hapësirave të reja për një fakultet, i cili ka shkruar një histori disadekadëshe të kontributit të pashoq në arsimimin e të rinjve e të rejave të këtij vendi.
Duke ndërtuar hapësirat e reja përmes këtij projekti, ne po i kontribuojmë modernizimit të arsimit të lartë në Kosovë, ngritjes së kapaciteteve hulumtuese të studentëve dhe stafit, promovimit të barazisë gjinore, përfshirjes dhe hapësirave të përputhshme me aspiratat tona mjedisore. Me laboratorët e pajisur, hapësirën e jashtme të përbashkët dhe veçoritë për ruajtje të energjisë, kjo ndërtesë paraqet njërën ndër më bashkëkohoret, jo vetëm të Universitetit të Prishtinës, por edhe të kryeqytetit dhe Kosovës në përgjithësi”, tha rektori.

Rektori konsideroi që peshën e këtij momenti e shton edhe më tepër fakti që pjesa dërrmuese e studentëve në këtë fakultet janë femra, përkatësisht rreth 75% e tyre, gjë e cila i ofron vend të rëndësishëm edhe zhvillimit të objektivit specifik të projektit, atij për adresimin e drejtë e të duhur të barazisë gjinore dhe kulturore.

Ndërtimin e objektit të FSHMN-së e përshëndeti edhe kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti.  Kryeministri tha se vënia e këtij gurthemeli shëno një faqe të re për zhvillimin e UP-së. “Uroj që gurthemeli që po vëmë sot të jetë edhe një faqe e re në historinë e zhvillimit të Universitetit të Prishtinës si dhe e zhvillimit të gjithmbarshëm socio-ekonomik të gjithë vendit tonë”, tha Kurti.

Realizimi i këtij projekti mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian. Ambasadori i BE-së në Kosovë, z. Tomas Szunyog, foli për ndikimin e drejtpërdrejtë të këtij objekti në rritjen e cilësisë së studimeve. “Nuk është vetëm ndërtesë e re, por edhe përmirësim i mirëqenies dhe shëndetit të studentëve, ngaqë do të përfitojnë shumë breza të ardhshëm. Projekti do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë në arsim dhe mbështet hulumtimin në mësimdhënie”, tha ambasadori Szunyog.

Për rëndësinë e ndërtimit të hapësirave bashkëkohore të këtij fakulteti folën edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, znj. Arnhild Spence, koordinatore e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, si dhe znj. Freya von Groote, drejtore e zyrës së UNOPS-it. Ata theksuan mbështetjen dhe vullnetin e tyre për finalizimin e suksesshëm të projektit në fjalë.

Ndërtimi i objektit të ri të FSHMN-së financohet përmes projektit IPA 2014-2020 dhe Universitetit të Prishtinës, si dhe implementohet nga zyra e UNOPS-it në Kosovë.