Rektori Qerimi dhe ministrja Nagavci pritën në takim një grup vajzash studente në programet studimore STEM

13 Shkurt 2023
SHARE

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Vajzave dhe Grave në Shkencë, rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, me bashkëpunëtorë, kanë pritur një grup vajzash studente në programet studimore STEM.

Sipas rektorit Qerimi, zhvillimi teknologjik është njëri ndër sektorët, me të cilët mund të zhvillohet edhe shteti i Kosovës.
“Zhvillimi teknologjik është njëri ndër sektorët kryesorë, të cilët Kosova mund t’i zhvillojë, veçanërisht kur kemi parasysh që popullsia e re e është pasuria më e madhe e vendit. Kjo, kombinuar me talentet e jashtëzakonshme të të rinjve dhe me nevojat në rritje të tregut, ku numri i kompanive që ofrojnë shërbime nga fushat e shkencave kompjuterike është në rritje. Si rezultat, përqendrimi dhe mbështetja e këtyre drejtimeve mbetet një përparësi strategjike, të cilës do t’i kushtohet vëmendje dhe kujdes i veçantë,” theksoi rektori Qerimi, në një takim të zhvilluar me studentet e këtyre programeve në UP.

Në anën tjetër, ministrja Nagavci ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e vendosur të vazhdojë të mbështesë financiarisht të gjithë studentët, por tha se ka në fokus vajzat, sidomos ato që studiojnë në këto fusha.

Ministrja i porositi vajzat që të ndikojnë në komunitetet e tyre dhe të bëhen edhe vetë shembull i mirë për fuqizimin e vajzave dhe grave, gjë e cila do të ndikojë në zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi dhe të shtetit tonë.

Ky takim shpalosi dhe mundësitë e tjera për promovimin dhe përkrahjen e fushave STEM në të gjitha nivelet e arsimit, si dhe krijimin e mundësive për punë praktike, mentorim e zhvillim profesional.

Këta mekanizma i shtohen mbështetjes financiare për vajzat/gratë në STEM, që tashmë po zbatohet që dy vjet si politikë e re e MASHTI-t dhe UP-së.

UP-ja mbetet e përkushtuar në mbështetjen e rritjes dhe zhvillimit të studentëve të saj, veçanërisht në fushën e TIK-ut, në mënyrë që të sigurohet që ata kanë shkathtësitë dhe dijen e nevojshme për të pasur sukses në teknologjinë që po zhvillohet në mënyrë rapide viteve të fundit.