Rektori nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Parkun e Trajnimit dhe Inovacionit në Prizren dhe viziton KREN-in

03 Shkurt 2023
SHARE

Universiteti i Prishtinës dhe Parku i Trajnimit dhe Inovacionit në Prizren kanë nënshkruar memorandum, i cili synon nisjen e partneritetit në fushën e ndërmarrësisë, inovacionit, hulumtimit dhe zhvillimit.

Përmes këtij memorandumi, ndër të tjerash, palët janë dakorduar për bashkëpunim në aktivitete të ndryshme të ndërmarrësisë, zhvillim të mëtejmë të iniciativave ndërshkencore, shkëmbim të dijes, ekspertizës dhe mentorimit.

Ky memorandum u nënshkrua nga i pari i UP-së, prof. dr. Qerim Qerimi, i cili në këtë takim ishte i shoqëruar nga prorektori për kërkime, projekte, inovacion dhe informacion, prof. dr. Sefer Avdiaj, dhe përgjegjësi i Zyrës për Teknologji të Informacionit, z. Qazim Tahiri.

Gjatë ditës, rektori, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar edhe Rrjetin Kërkimor dhe Arsimor të Kosovës (KREN). Në këtë vizitë, ata takuan koordinatoren e projektit KODE, znj. Fjolla Restelica-Ahmetin dhe koordinatorin e KREN-it, z. Atif Bashani, me të cilët diskutuan mundësitë e bashkëpunimit, përfshirë këtu organizimin e një konference në të cilën do të diskutohet rreth arsimit të lartë në epokën digjitale, si dhe qasja në laboratorë, softuerë e projekte të përbashkëta kërkimore, përmes KREN-it dhe partnerëve të tij për stafin hulumtues të UP-së.