Mësimdhënësja e Fakultetit të Filologjisë, përfituese e “University Support Grant” nga Ambasada e SHBA-së

30 Janar 2023
SHARE

Projekti “Fillimi i transformimit të vlerësimit dhe krijimi i praktikave të integritetit akademik në Universitetin e Prishtinës” ka bashkuar 32 studentë dhe pesë profesorë nga katër fakultete të Universitetit të Prishtinës, për të diskutuar rreth praktikave të vlerësimit në këto fakultete.

Ky projekt i financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka dy qëllime: Së pari, projekti synon të fillojë transformimin e praktikave të vlerësimit në UP, duke ua prezantuar stafit dhe studentëve praktikat më të reja dhe efektive të vlerësimit, ku edhe do të krijohet një udhëzues për vlerësim që mund të shfrytëzohet nga stafi i UP-së. Së dyti, projekti mëton të thellojë praktikat e integritetit akademik në UP, duke krijuar një ueb faqe me material dhe aktivitete interaktive rreth integritetit akademik. Në këtë ueb faqe do të kenë qasje të gjithë studentët e arsimit të lartë në Kosovë. 

Projekti realizohet fale grantit të fituar nga mësimdhënësja e Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze, Fakulteti i Filologjisë, prof. ass. dr. Blerta Mustafa dhe në të janë të përfshirë edhe mësimdhënës të tjerë dhe studentë nga Fakulteti i Filologjisë, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Shkencave Natyrore-Matematikore dhe Fakulteti i Mjekësisë, gjë që mundëson plotësimin e nevojave të disa fushave sa i përket vlerësimit dhe integritetit akademik.