Rektori pret në takim anëtarët e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport

28 Dhjetor 2022
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, ka pritur në takim anëtarët e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, të përbërë nga deputetët Ardian Gola, Albena Reshitaj dhe Eliza Hoxha. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe u.d. sekretari i përgjithshëm i UP-së, Besfort Krasniqi, dhe stafi mbështetës i komisionit, znj. Lule Imeri dhe z. Shaip Goxhuli.

Rektori Qerimi theksoi prioritetet e punës së tij, duke theksuar në veçanti iniciativën për ndryshime në Statutin e UP-së dhe rregullativat e tjera të ndërlidhura. Ai shtroi edhe problematikën e buxhetit të ulët institucionit, sidomos të atij të ndarë për kërkime shkencore.
“Dy janë prioritetet e mia aktuale, të cilat ndërlidhen drejtpërsëdrejti edhe me buxhetin e institucionit. Një, rekrutimi i stafit të ri akademik, duke bërë kështu rigjenerimin e personelit tonë, dhe e dyta, çështja e kërkimeve, në mënyrë që standardi ynë të jetë i konkurrueshëm me institucione, nivelet e të cilave ne i aspirojmë,” tha Qerimi.

Për projektet për të ardhmen, Rektori hasi në mbështetjen e plotë të kryesuesit të komisionit, profesorit Ardian Gola, dhe anëtarëve të tij. Gola theksoi se komisioni do të bashkëpunojë me UP-në, por edhe me institucionet e tjera relevante, për të adresuar problematikat, me të cilat po përballet arsimi i lartë, përfshirë UP-në si institucion lider.