Rektori e viziton parkun arkeologjik “Ulpiana”

25 Dhjetor 2022
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Qerim Qerimi, së bashku me profesorët e Departamentit të Antropologjisë, prof. ass. dr. Arben Hajdari dhe prof. asoc. dr. Arsim Canolli, ka vizituar parkun arkeologjik “Ulpiana”.

Profesor Hajdari e njoftoi rektorin me gërmimet dhe studimet e reja interdisiplinare që po realizohen në parkun arkeologjik të Ulpianës, të cilat kanë filluar që në vitin 2017, në bashkëpunim të ngushtë mes Universitetit të Prishtinës, Ecole Normale Superiore (Paris) dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Në këto gërmime, të cilat janë realizuar në kuadër të projektit të përbashkët mes Kosovës dhe Francës, kanë marrë pjesë një numër i madh i studiuesve nga Evropa, rajoni dhe Kosova. Po ashtu, gjatë viteve të fundit, mbi 100 studentë nga Departamenti i Antropologjisë, Historisë dhe Arkitekturës në UP dhe studentë të tjerë ndërkombëtare kanë marrë pjesë dhe janë trajnuar në shkollën arkeologjike që organizohet në kuadër të këtij projekti, duke u njohur për së afërmi me metodat e reja që aplikohen në fushën e studimeve arkeologjike.   

Profesori Arben Hajdari e njoftoi rektorin se në kuadër të projektit që po financohet nga BE /IPA II, një vëmendje e veçantë po i kushtohet ngritjes së kapaciteteve, qoftë përmes trajnimit të kuadrove, apo duke siguruar pajisje përkatëse moderne, me qëllim të krijimit të laboratorit të arkeologjisë, i cili, në dakordim me partnerët, parashihet të vendoset në Fakultetin Filozofik.

Rektori i falënderoi profesorin Hajdari dhe kolegët e tij vendorë dhe ndërkombëtarë, studentët dhe sponsorët dhe u zotua se UP-ja do të vazhdojë të përkrahë këtë projekt të rëndësishëm për arkeologjinë, kulturën dhe UP-në, por edhe projekte të tilla arkeologjike e antropologjike, të cilat hapin shtigje të reja të kërkimit shkencor, shkëmbimit të përvojave dhe promovimit të trashëgimisë së pasur kulturore të Kosovës.