Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, ka pritur sot në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot.
Në këtë takim, rektori u shoqërua nga dekanja e Fakultetit të Filologjisë, prof. dr. Lindita Rugova, shefja e Departamentit të Frëngjishtes në UP, prof. dr. Bade Bajrami, profesori nga Departamenti i Arkeologjisë, prof. ass. Arben Hajdari, dhe drejtorja e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, dr. Lumnije Bajrami.
Në anën tjetër, nga ambasada e Francës, të pranishëm ishin edhe z. Donato Giuliani, këshilltar për bashkëpunim dhe çështje kulturore, dhe znj. Fikrije Pllashniku, sekretare e përgjithshme në Departamentin për Bashkëpunim dhe Veprimtari Kulturore.
Rektori Qerimi ka prezantuar projektet e Universitetit të Prishtinës me partnerë nga shteti francez, si dhe ka shpalosur mundësitë e tjera të bashkëpunimit me njësi të ndryshme brenda UP-së.
Në anën tjetër, ambasadori Guérot ka theksuar se janë rreth 600 të rinj kosovarë që i ndjekin studimet në universitete të ndryshme në Francë. Sipas tij, ata janë të hapur për eksplorim të mundësive të bashkëpunimit edhe në diploma të përbashkëta e mundësi të tjera.
Të pranishmit e tjerë në këtë takim diskutuan rreth projekteve dhe përfshirjes se njësive që përfaqësojnë me partnerë francezë, qoftë përmes projekteve në kuadër të programit Erasmus+ apo shkëmbimeve të tjera ndërinstitucionale.