Profesorët e UP-së shpërblehen me mirënjohje për kontributin e dhënë në projektin “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”

29 Nëntor 2022
SHARE

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, me rastin e 78-vjetorit të themelimit, ka shpërblyer për punën e bërë si mentorë të projektit “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”, profesorët e Universitetit të Prishtinës, prof. asoc. dr. Arsim Canolli, prof. ass. dr. Shemsi Krasniqi dhe prof. ass. dr. Tahir Latifi. Këto mirënjohje profesorëve të Departamentit të Antropologjisë në Fakultetin Filozofik ua ndau rektori i UP-së, prof . dr. Qerim Qerimi.

Projekti, i cili tani është në fazën finale të realizimit, synon të dokumentojë, publikojë dhe të ruajë rrëfimet e të mbijetuarve dhe dëshmitarëve okularë të masakrës së Krushës së Madhe të Komunës së Rahovecit në Kosovë. I njëjti është rezultat i bashkëpunimit mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Rahovecit dhe Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Kontribut të rëndësishëm në këtë projekt kanë dhënë edhe 35 studentë dhe të diplomuar të UP-së të fushës së antropologjisë kulturore, sociologjisë, historisë, gazetarisë, si dhe fushave të tjera të përafërta, të cilët kanë realizuar mbi 200 intervista në terren.