Mbyllet me sukses aktiviteti rrjetëzues ‘KarrieraUP’

15 Nëntor 2022
SHARE

Edicioni i tretë i aktivitetit tradicional ‘KarrieraUP’, i cili organizohet nga Qendra për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës, në bashkëpunim me tregun e punës, u përmbyll suksesshëm.

Qëllimi i aktivitetit është ndërlidhja e studentëve dhe të diplomuarve me punëdhënësit, si dhe ofrimi i këshillave konkrete për hapat e përgatitjes për tregun e punës. Me anë të këtij aktiviteti synohet rrjetëzimi i palëve, si dhe zhvillimi i njohurive të studentëve për kriteret e tregut të punës.

Studentët dhe të diplomuarit pjesëmarrës në këtë aktivitet treditor, patën mundësinë që gjatë këtij edicioni të takojnë drejtorët dhe specialistët e rekrutimit të gjashtë institucioneve/kompanive pjesëmarrës, si: Raiffesen Bank, KiKxxl&Evrotarget, FINCA, Akademia e fëmijëve “Loja”, Manaferra dhe PozheguBrothers.

Gjatë takimit me studentët dhe të diplomuarit e UP-së, përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse ofruan informata rreth profilit, departamenteve, profesioneve, programit të punës praktike dhe punësimit që këta ofrojnë. Ndër tjera, pjesëmarrësit u udhëzuan mbi procesin e aplikimit, përgatitjes së CV-së dhe letrës motivuese, paraqitjes në intervistë pune, trajnimeve profesionale që mund të ndjekin për të depërtuar më lehtë në tregun e punës, për rëndësinë e punës vullnetare dhe vlerën që ka për punëdhënësit, etj. Studentët u inkurajuan që të përfitojnë nga shërbimet e karrierës që ofron Qendra për Zhvillim të Karrierës në UP dhe t’u drejtohen kompanive pjesëmarrëse për mundësi angazhimi.