UP-ja dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Holandë nisin bashkëpunimin

10 Nëntor 2022
SHARE

Në ambientet e rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u.d. rektorja, prof. ass. dr. Luljeta Plakolli–Kasumi, ka pritur në takim një delegacion nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara (AERES) në Holandë.

Kjo vizitë është rrjedhojë e bashkëpunimit të universitetit holandez me Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në UP, në kuadër të programit të Erasmus+ KA 171.

U.D. rektorja Plakolli-Kasumi, teksa iu uroi mirëseardhje të pranishmëve, theksoi se është e gatshme të mbështesë të gjitha nismat që sjellin përfitime për të dyja universitetet. Ajo përmendi që UP-ja është shumë e dedikuar edhe në ndërlidhjen e studimeve me tregun e punës dhe implementimi i këtij projekti shënon një hap tutje në këtë drejtim.

Koordinatori i këtij projekti nga ana e UP-së, prof. Arben Musliu, theksoi se realizimi i një bashkëpunimi të tillë është shumë i dobishëm për studentët dhe stafin e FBV-së.

Ndërkaq, të lumtur me rrjedhojën e deritanishme të bashkëpunimit u shprehen mysafirët, Tim Menger, Bram van 't Klooster dhe Jan  Bloemert. Pjesë e delegacionit ishte edhe studentja e parë nga Holanda, Amber Stooker, e cila, përmes këtij bashkëpunimi, ka filluar praktikën e saj në Asociacionin e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës.

Gjatë një viti, me anë të këtij memorandumi, ndër të tjerash, parashihet edhe shkëmbimi i 12 studentëve (gjashtë nga UP-ja dhe gjashtë nga universiteti partner) në universitetet partnere. Vizita katëditore e delegacionit nga Holanda ka vijuar me takime me përfaqësues të UP-së, studentë dhe partnerë të tjerë.