Rektori Sahiti nënshkruan tri marrëveshje të bashkëpunimit gjatë vizitës në Universitetin Alanya Alaaddin Keykubat, në Turqi

10 Tetor 2022
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka vizituar Universitetin Alanya Alaaddin Keykubat në Turqi. Ai është pritur në takim nga prof. dr. Arife Uslu Gökceoglu, rektore e universitetit nikoqir dhe përfaqësues të tjerë të universitetit turk.

Gjatë kësaj vizite u nënshkruan tri marrëveshje të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve: Memorandumi i mirëkuptimit ndërinstitucional, marrëveshja në kuadër të programit Erasmus+ dhe marrëveshja në kuadër të programit Mevlana.

Në takimin ndërmjet dy homologëve, rektori Sahiti falënderoi menaxhmentin e Alanya Alaaddin Keykubat University (ALKU) për interesin e shprehur për të institucionalizuar marrëveshjet e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve. Rektori Sahiti u shpreh më tej që UP-ja, më 14 fakultete, të cilat ofrojnë të gjitha programet e rëndësishme për përgatitjen e kuadrove të nevojshme për zhvillimin e vendit, ka potencial të përfshihet në bashkëpunime specifike me fakultetet simotra të ALKU-së.

Në anën tjetër, prof. dr. Arife Uslu Gökceoglu u shpreh e lumtur për vizitën e rektorit Sahiti, të cilin e falënderoi për gatishmërinë e UP-së që përvojën e mirë të bashkëpunimit me universitetet turke ta ofrojë edhe në funksion të thellimit të bashkëpunimit me ALKU-në. Prof. Uslu Gökceoglu shtoi po ashtu që marrëveshjet e nënshkruara kanë për synim krijimin e një kornize të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet të dyja institucioneve.

Në kuadër të kësaj vizite, rektori Sahiti kishte rastin të takojë dhe të diskutojë edhe me profesorë me renome ndërkombëtare, të cilët po ashtu ofruan gatishmërinë e tyre në mbështetjen e realizimit të marrëveshjeve të nënshkruara.