Lansohet studimi rreth ndikimit të Covid-19 në ofrimin e shërbimeve sociale për fëmijët dhe familjet në nevojë

06 Tetor 2022
SHARE

Sot, Instituti i Psikologjisë, Universiteti i Prishtinës, në partneritet me zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe me mbështetje të Bashkimit Evropian, lansuan studimin, i cili përshkruan ndikimin e COVID-19 në ofrimin e shërbimeve sociale për fëmijët dhe familjet në nevojë dhe ofron rekomandime se si të përmirësohet cilësia dhe qasja në shërbime të tilla.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje nga Universiteti i Prishtinës ishte prorektori për zhvillim dhe cilësi, prof. asoc. dr. Elton Bahtiri, i cili, në fjalën hyrëse të tij, vlerësoi se “gjetjet e raportit kanë si temë bosht një çështje akoma aktuale dhe me rëndësi, prandaj është një mundësi për të përmirësuar të kuptuarit e ndikimit të pandemisë në shëndetin në përgjithësi, e atë mendor dhe mirëqenien psikosociale të fëmijëve dhe familjeve në veçanti, si dhe për të dizajnuar hulumtime të mëtejshme në këtë fushë”.

Të pranishëm në këtë tryezë të rrumbullakët ishin edhe përfaqësues nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, punëtorë socialë dhe zyrtarë nga qendrat për punë sociale, ofrues të shërbimeve nga OJQ-të e licencuara në Kosovë, si dhe përfaqësues nga Departamenti i Psikologjisë dhe Departamenti i Punës Sociale në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.