Rektori Sahiti takon dekanin dhe përfaqësuesit e studentëve të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë

09 Shtator 2022
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, i shoqëruar nga stafi i tij, ka pritur sot në takim dekanin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë (FBV), prof. asoc. dr. Bedri Dragusha dhe përfaqësuesit e studentëve, Blenda Fazliu dhe Arif Sopa. 

Përfaqësuesit e studentëve të FBV-së shfaqen shqetësimet e tyre për mos finalizimin e objektit të ri të fakultetit dhe pamundësinë për të filluar vitin e ri akademik në këtë objekt. 


Rektori Sahiti i njoftoi studentët me angazhimin e tij të deritanishëm dhe përkushtimin e menaxhmentit aktual të UP-së në kryerjen e detyrave për funksionalizimin e objektit, të filluar së ndërtuari qysh në vitin 2013. Por, për faktin se afër objektit kalojnë largpërçuesit ndërkombëtar të tensionit të lartë dhe nuk respektohet standardi i largësisë, nga autoriteti përgjegjës (KOSTT-i) nuk është lejuar kyçja e energjisë elektrike në objekt. 


Rektori Sahiti theksoi që menaxhmenti i mirëkupton brengat e studentëve dhe të gjithë stafit akademik dhe administrativ, për mos finalizimin e objektit, shqetësime këto të mëdha edhe për rektorin dhe menaxhmentin e UP-së. Ai shtoi se që nga fillimi i mandatit, së bashku me ekipin e tij, ka realizuar një mori takimesh me instancat e brendshme. por edhe institucionet relevante jashtë UP-së, për të bërë zgjidhje për problemet e trashëguara për ndërtimin e këtij fakulteti. 


Menaxhmenti është zotuar që do të vazhdoj punën intensive për arritjen e zgjedhjes më të përshtatshme për situatën e krijuar, në mënyre që studentet të arrijnë ta zhvillojnë procesin mësimor pa pengesa.