Rreth 350 studentë dhe profesorë përfundojnë rrugëtimin e tyre në edicionin e 21-të të UVP-së

23 Korrik 2022
SHARE

Pas rreth dy javë kohëzgjatjeje është përmbyllur edicioni i  21-të i Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës.

Gjatë ceremonisë së përmbylljes, një organizim dhe aventurë akademike të tillë e përshëndeti rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. Ai u shpreh optimist që një eksperiencë e tillë do të lëjë gjurmë pozitive tek memoriet e të gjithë pjesëmarrësve.

Shpresoj që gjatë kësaj kohe keni pasur mundësinë të pasuroheni profesionalisht dhe të socializoheni. Pas një angazhimi të tillë, UP do t’u shpërblen me certifikata, nga ku ju do të hapeni edhe për më shumë mundësi të tjera për të ardhmen”, theksoi rektori Sahiti.

Nga stafi akademik ndërkombëtar, UVP-në e përshëndeti profesori Jakub Donski – Lesiuk nga Universiteti Lodzki i Polonisë.

Këto eksperienca të mbledhura gjatë këtyre dy javëve, nuk janë vetëm të rrethoheni me kultura të ndryshme, por gjithashtu edhe zgjidhje e problemeve të ndryshme. Dhe jam shumë i sigurtë që edicioni i 22-të i UV-së, do të jetë më se i mrekullueshëm”, ka thënë Donski – Lesiuk.

Ndërsa Lejla Pula, profesoreshë në UP, është shprehur se një event i tillë paraqet një traditë të jashtëzakonshme të UP-së.

Unë shpresoj shumë që brenda këtyre dy javëve intensive, të keni pasur mundësinë t’i zgjeroni horizontet profesionale. Andaj ju përgëzoj për këtë punë të jashtëzakonshme dhe shpresoj që UVP-ja të zgjerohet edhe më tej, sepse rinia e Kosovës e meriton një gjë të tillë”, u shpreh profesoresha Pula. 

Edhe studentët gjithashtu theksuan eksperiencat pozitive të fituara nga ky edicion. Elonida Elezi, studente në fakultetin e Arteve, ndau përvojen e saj në përmbylljen e ceremonisë.

“Është eksperiencë e shkëlqyeshme për ne studentët vendorë, të kemi mundësinë të kemi studentë ndërkombëtarë në Kosovë. Ne tani kemi kujtime të përbashkëta dhe jam shumë e sigurtë që tani e tutje, do të kemi shumë mundësi për të zgjeruar njohuritë tona dhe të rritemi profesionalisht”, ka thënë studentja Elezi.

Në edicionin e sivjetmë të UVP-së, kanë ndjekur kurset 350 studentë në fusha të ndryshme studimi, si dhe u organizuan një mori e aktiviteteve kulturore dhe sociale.