Nisin provimet pranuese për kandidatët për studentë të rinj në UP – rektori Sahiti iu uron sukses kandidatëve

21 Korrik 2022
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka hapur sot dyert për testimin e kandidatëve të rinj për studimet themelore – baçelor për vitin akademik 2022/2023. Provimit pranues sot i janë nënshtruar kandidatët për studentë në Fakultetin e Ndërtimtarisë, Arkitekturës, Edukimit Fizik dhe Sportit, Inxhinierisë Mekanike, Shkencave Matematike-Natyrore, Juridikut dhe Arteve.

Vizitë fakulteteve, ku po mbahen provimet pranuese, u ka bërë rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, i shoqëruar nga prorektorët, prof. dr. Mimoza Ibrani – prorektore për mësim dhe çështje për studentë, dhe prof. ass. dr. Elton Bahtiri, prorektor për zhvillim dhe cilësi. Në këto vizita ata u priten nga dekanët e fakulteteve përkatëse dhe stafi përgjegjës për organizim të provimeve pranuese.

Rektori Sahiti i përgëzoi aplikantët për zgjedhjen e UP-së për të vijuar rrugëtimin e tyre profesional dhe akademik. “Uroj shumë që të jepni më të mirën nga vetja juaj dhe të përzgjidheni si studentë të UP-së, institucionit lider të arsimit të lartë në vendin tonë. Ju keni bërë zgjedhjen e duhur dhe një e ardhme e ndritur profesionale ju pret pas këtij hapi,” është shprehur rektori Sahiti.

Provimet pranuese do të vazhdojnë deri më 23 korrik 2022. Nesër, duke filluar nga ora 09:00, provimit do t’i nënshtrohen kandidatët për studentë të rinj në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Filozofikut, Filologjisë, Ekonomikut, Edukimit, Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike dhe Arteve. Për oraret specifike të provimeve, shfletoni konkursin e plotë duke klikuar KETU.

Këtë vit, në konkursin e hapur për pranimin e studentëve të rinj për studimet themelore – baçelor për vitin akademik 2022/2023, UP-ja ka pranuar afër 8 mijë aplikime.