350 studentë do të përfitojnë nga kurset dhe punëtoritë e edicionit të 21-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar

13 Korrik 2022
SHARE

Në ambientet e Bibliotekës Qendrore Universitare është bërë hapja e edicionit të 21-të të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës. Në këtë program tradicional akademik dhe kulturor, do të marrin pjesë rreth 350 studentë nga vende të ndryshme të botës dhe 16 profesorë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Mirëseardhje në Universitetin Veror u ka uruar profesorëve dhe studentëve pjesëmarrës rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, i cili ka potencuar rëndësinë akademike dhe kulturore që ka një ngjarje e tillë.
Përgjatë dy javëve, studentë nga e gjithë bota do të kenë mundësinë të shkëmbejnë eksperiencat e tyre dhe të krijojnë kujtime të bukura në Kosovë. Ky program ka traditë, gjë që e bën këtë ngjarje njërën nga më të rëndësishmet në fushën e shkëmbimit akademik dhe kulturor në vend dhe më gjerë”, ka thënë rektori Sahiti.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla–Schwarz, u shpreh se UVP-ja i kontribuon jashtëzakonisht shumë shkëmbimit në mes të studentëve dhe profesorëve dhe ngritjes së nivelit të shkencës dhe dijes. “Gëzohem shumë për një format të tillë, sepse një format i tillë ndihmon shumë që edhe fëmijët tanë, që janë lindur dhe shkolluar jashtë Kosovës, por edhe studentët ndërkombëtarë, të forcojnë marrëdhëniet me shtetin e Kosovës”, theksoi ministrja Gërvalla–Schwarz.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, zëvendësministri Dukagjin Pupovci ka theksuar përkrahjen e MASHTI-t për këtë program, ndërkaq foli për rëndësinë e kësaj shkolle verore që nga themelimi i saj mbi dy dekada më par, e deri në ditët e sotme.

Profesorët dhe studentët i ka përshëndetur edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili njëherësh i informoi pjesëmarrësit me aktivitetet kulturore dhe mundësitë rekreative që ofron kryeqyteti gjatë verës, nga të cilat mund të përfitojnë edhe ata.

Të pranishmit u informuan më në detaje rreth organizimit dhe rëndësisë së UVP-së nga prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, njëherësh organizatore kryesore e UVP-së. Ajo falënderoi ekipin që ka punuar në realizimin e këtij programi dhe partnerët që e kanë përkrahur këtë edicion tashmë tradicional. 

Ky edicion i UVP-së do të ofrojë kurse nga 13 fusha të ndryshme me profesorë vendorë dhe ndërkombëtarë dhe tri punëtori. Me rreth 350 pjesëmarrës nga mbarë bota, programi do të zhvillohet në gjuhën angleze dhe përgjatë dy javëve, përveç aktiviteteve akademike, pjesëmarrësve do t’u ofrohen edhe shfaqje kulturore dhe argëtuese.

UVP-ja ka nisur me datë 12 korrik dhe do të vazhdojë me aktivitete deri më 22 korrik 2022. Programin e këtij edicioni të UVP-së e gjeni duke klikuar KËTU.