Diskutohen mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe Universitetit “Aristotel” në Selanik

05 Korrik 2022
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka pritur sot në takim në ambientet e UP-së, rektorin e Universitetit “Aristotel” në Selanik të Greqisë, prof. dr. Nikolaos Papaioannou, shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, znj. Heleni Vakali, dhe shefin e DCN Global nga Shkolla e Gazetarisë dhe e Komunikimit në Greqi, prof. Nikos Panagiotou. Të pranishme në këtë takim ishin edhe prorektorja për mësimdhënie dhe çështje për studentë, prof. asoc. dr, Mimoza Ibrani dhe dekanja e Fakultetit të Filologjisë, prof. dr. Lindita Rugova.

Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit të ndërsjellë, ku u diskutuan mundësitë e shumta të partneritetit ndërmjet të dyja institucioneve.

Rektori Sahiti shprehu interesimin e UP-së për ta formalizuar, zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin me Universitetin “Aristotel”, sidomos në ciklin e studimeve të doktoratës në fusha të caktuara. Distanca fizike në mes Kosovës dhe Greqisë u cilësua si përparësi për implementimin e bashkëpunimeve.
“Distanca jo e largët fizike mes Kosovës dhe Greqisë është faktor shumë i madh i lehtësimit të bashkëpunimit. Implementimi i projekteve të përbashkëta do të sillte shumë përfitime profesionale për UP-në, sidomos për ciklin e tretë të studimeve”, është shprehur rektori Sahiti.

Nga pala greke, rektori Papaioannou theksoi se mundësitë për bashkëpunim janë shumë të mëdha. “Universiteti ‘Aristotel’ është i hapur për bashkëpunim dhe besoj se nga sot e tutje, na duhen vizita dhe diskutime më të shpeshta, për të mundësuar edhe aplikimin si partnerë në projekte dhe fonde të ndryshme ndërkombëtarë”, ka thënë rektori Papaioannou.

Ndërkaq, shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, znj. Vakali, ka thënë se rëndësi të veçantë në bashkëpunimin e ndërsjellë luan angazhimi i të rinjve në proceset akademike - universitare.
“Unë mendoj se të dyja vendet duhet të bëjnë më shumë që studentët apo rinia të bashkëpunojnë më shumë mes vete. Të krijohet hapësirë, ku të rinjtë të kenë mundësinë të zhvillojnë aktivitete të përbashkëta”, ka thënë ambasadorja Vakali.

Të dyja palët u dakorduan që ta formalizojnë bashkëpunimin përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje kornizë dhe të organizohen vizita tjera për ta thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme me interes për të dy palët. Në takim u diskutua edhe për mundësinë e ofrimit të Gjuhës dhe Kulturës Greke si lëndë në Fakultetin e Filologjisë.