Studentët nga Ukraina, vendet e Paqësorit dhe të Afrikës do të përfitojnë bursa për pjesëmarrje në Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës

29 Qershor 2022
SHARE

Në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet MPJD-së dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Memorandumi, i cili ka për qëllim thellimin dhe kultivimin e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve, u nënshkrua nga rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe ministrja e MPJD-së, znj. Donika Gërvalla. E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, koordinatore e këtij bashkëpunimi dhe organizatore e programit të UVP-së.

Përmes kësaj marrëveshjeje, parashihet bashkëpunimi në përkrahjen e studentëve pjesëmarrës në Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës (UVP), të cilët këtij programi akademik dhe kulturor do t’i bashkohen nga Ukraina, vendet e Paqësorit dhe të Afrikës.

Në këtë takim të frytshëm e miqësor u diskutuan edhe mundësi të shumta të bashkëpunimit dhe u propozuan ide partneriteti nga të dyja palët.

Në fjalën e tij, rektori Sahiti u shpreh i lumtur për këtë bashkëpunim, teksa theksoi që memorandumi me MPJD-në do të shërbejë në promovimin edhe më të madh të programit të UVP-së dhe në rritjen e partneriteteve ndërkombëtare. Rektori shtoi që UP-ja është duke punuar në hapjen e më shumë programeve studimore në gjuhën angleze, gjë e cila do të lehtësonte pranimin e studentëve ndërkombëtar, përfshirë këtu edhe studentë nga vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.  

Ndërkaq, ministrja Gërvalla shprehu gatishmërinë qe ta mbështesë UP-në, jo vetëm në realizimin e këtij programi veror, por edhe në arritjen e marrëveshjeve të reja ndërkombëtare. Ajo sugjeroi hapjen e një programi të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë, i cili do të mundësonte krijimin e kuadrove për mësimdhënie të gjuhës shqipe dhe i cili do të ishte në shërbim edhe të diasporës sonë.

Në anën tjetër, prorektorja Blakaj theksoi se do te ishte tejet e rëndësishme qe, krahas kësaj, të punohet edhe ne certifikimin e gjuhës shqipe, projekt në të cilin palët u pajtuan të punojnë në vazhdimësi.

Nga kjo marrëveshje bashkëpunimi do të përfitojnë 20 studentë, të cilëve do t’u mbulohen shpenzimet e udhëtimit, akomodimit, pjesëmarrja në kurset e përzgjedhura në kuadër të programit, si dhe të gjitha shpenzimet e tjera eventuale.

Edicioni i 21-të i UVP-së, këtë vit, sjell gjithsej 13 kurse të akredituara nga fusha të ndryshme, me ligjërues vendorë dhe ndërkombëtarë. Programi i UVP-së u ofron studentëve mundësinë e zgjerimit të njohurive, në një ambient akademik dhe ndërkulturor.