Inaugurohen fushat e reja sportive për studentët e UP-së

17 Qershor 2022
SHARE

Dje kampusit universitar i janë shtuar terrene të reja sportive. Në qendër të kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u inauguruan fushat sportive të basketbollit, futsallit, tenisit dhe beach volleyt.

Të lumtur për përurimin e hapësirave të reja për studentët u shprehen rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe dekani i FEFS-it, prof. asoc. dr. Musa Selimi.

Rektori Sahiti theksoi se kjo hapësirë e re do t’u mundësojë studentëve të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit të praktikojnë aftësitë e tyre, ndërkaq do të shërbejë edhe si hapësirë rekreative për të gjithë studentët e UP-së.

Ndërkaq, dekani Selimi tha se i tërë procesi deri tek inaugurimi i fushave nuk ka qenë i lehtë, por e gjithë kjo sfidë ka sjellë për studentët një hapësirë të nevojshme, por edhe të bukur për kampusin në përgjithësi.

Punën e realizuar e përgëzoi edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama dhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Ismet Krasniqi.

Ceremonia e inaugurimit ka vazhduar me dhënien e mirënjohjes për studenten Donjeta Sadiku, e cila ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të Boksit në Turqi. Po ashtu, drejtuesit e UP-së shpërblyen me mirënjohje edhe studentët e Fakultetit të Arteve, të cilët realizuan muralet artistike në këtë hapësirë.

Krejt në fund, studentët tanë zhvilluan lojëra në basketboll, volejboll, tenis dhe futsall në fushat e inauguruara.