Prezantohet projekti i dizajnit të ndërtimit të Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore

09 Qershor 2022
SHARE

Është prezantuar sot projekti i dizajnit të ndërtimit të Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore. Ky projekt ka për qëllim përmirësimin e standardeve infrastrukturore të Universitetit të Prishtinës. Projekti në fjalë menaxhohet dhe implementohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve – UNOPS, ndërkaq financohet nga Bashkimi Evropian.  

Rektori Sahiti tha që ndërtimi i FSHMN-së ka qenë një sfidë e kahershme e UP-së, por edhe objektiv parësor. Sipas tij, ndërtimi i këtij fakulteti do të ndikonte në rritjen e cilësisë së studimeve në këtë fakultet dhe më gjerë.

Të vetëdijshëm për peshën e objektit të FSHMN-së, UP-ja ka idetë dhe planet fillestare qysh një dekadë më herët, por të cilat nuk kanë arritur asnjëherë të finalizohen për shkaqe të ndryshme. Me një vullnet dhe dëshirë të përbashkët me të gjithë aktorët relevantë, si dhe me përkrahjen e BE-së, unë shpresoj që ky projekt të implementohet dhe së shpejti të bëjmë edhe inaugurimin e tij”, është shprehur rektori Sahiti.

Në anën tjetër, ambasadori i BE-së në Kosovë, z. Tomas Szunyog, tha se ndërtimi i një projekti të tillë do të bëhet sipas standardeve të edukimit modern.

Ky projekt do të kontribuojë direkt në përfshirjen e standardeve moderne në arsim, duke ofruar objekte dhe hapësira moderne funksionale për UP-në, stafin akademik dhe studentët. Kualiteti i arsimit është një prej prioriteteve të BE-së për Kosovën dhe ndërtimi i një hapësire të tillë është një dëshmi e re e angazhimit tonë në këtë aspekt”, ka thënë Szunyog.

Nga MASHTI, ministrja Arbërie Nagavci përmendi disa zhvillime që pritet të ndodhin, me implementimin e këtij projekti, teksa theksoi që ky do të jetë një objekt, i cili do të ofrojë kushte optimale për mësim dhe ushtrim të veprimtarisë kërkimore dhe shkencore të fakultetit.

Kurse kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se një projekt i tillë siguron gjithëpërfshirje. Sipas tij, asnjë objekt në Kosovë, madje as në regjion, nuk ka këso lloj facilitetesh, të cilat janë të përfshira në këtë projekt.  

Projekti u shpalos detajisht nga shefi i Zyrës së UNOPS-it, Brendan Keirnan.

Objektivi kryesor i implementimit të këtij projekti është përmirësimi i standardeve arsimore dhe infrastrukturës gjithëpërfshirëse. Aktualisht, në FSHMN studiojnë rreth 2500 studentë në programet e ndryshme studimore që i ofron kjo njësi akademike.