UP-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Politeknik të Portos në Portugali

04 Qershor 2022
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universiteti Politeknik i Portos kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.

Kjo ujdi u firmos në ambientet e Rektoratit të Universitetit Politeknik të Portos, nga rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe homologu i tij, prof. Paulo Pereira. Delegacioni i UP-së në këtë vizitë përbehej edhe nga prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, dhe drejtoresha e Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë, dr. Lumnije Bajrami.

Në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit, rektori Sahiti theksoi rëndësinë e këtij takimi për avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për UP-në. Ai potencoi që UP-ja është e hapur për bashkëpunim në fushën e edukimit me universitetin portugez, për t’i zgjeruar akoma më shumë marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe mundësitë që ofrojnë për studentët dhe stafin.

Përmes kësaj marrëveshjeje, synohet shkëmbimi i studentëve dhe stafit akademik, krijimi i programeve të përbashkëta studimore apo projekteve të përbashkëta hulumtuese, organizimi i konferencave dhe seminareve, trajnimeve si dhe vizita nëpër dy universitetet pjesëmarrëse.

Gjatë vizitës në Universitetin Politeknik të Portos, delegacioni i UP-së ka zhvilluar edhe takime të tjera me përfaqësues të universitetit nikoqir, si dhe mori pjesë në panelet e organizuara në kuadër të javës ndërkombëtare ISCAP.