Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” është mbajtur sot konferenca njëditore me titull “Mundësitë dhe zhvillimi i industrisë së qumështit në Ballkan dhe më gjerë”. Kjo konferencë është organizuar nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti Shtetëror i Ajovës dhe është përkrahur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës.
Hapjen e konferencës e bëri rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. Lidhur me konferencën dhe rëndësinë e saj, rektori Sahiti theksoi se një ngjarje e tillë është e rëndësisë së lartë për shumë aktorë, sidomos për studentët, profesionistët dhe për prodhuesit e ushqimit në Kosovë.
“Kjo konferencë uroj dhe shpresoj të jetë e dobishme me ofrimin e temave me vlerë për të gjithë, sidomos studentëve, profesionistëve, por edhe prodhuesve të ushqimit në Kosovë. Konferenca paraqet një mundësi të mirë për shkëmbimin e përvojave ndërmjet Ajovës dhe Kosovës në këtë sektor, duke plotësuar binjakëzimin ndërmjet dy vendeve, të realizuar edhe në fusha tjera”, është shprehur rektori Sahiti.
Punimet e konferencës u përshëndetën edhe nga ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci. Ai theksoi rëndësinë e industrisë së qumështit, përkrahjen e Universitetit Shtetëror të Iowa-s dhe rolin e UP-së në këtë mes. “Vizioni ynë është përafrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, me qarqet akademike, duke filluar nga Fakulteti i Bujqësisë, e duke vazhduar tutje me nivelet e tjera. Blegtoria është një fushë e gjerë dhe sektori i qumështit është një sektor potencial në zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë”, është shprehur ministri Peci.

Në anën tjetër, profesori Curt Youngs nga Universiteti Shtetëror i Ajovës, shprehu mirënjohjen e tij për UP-në. “Jam shumë mirënjohës ndaj Universitetit të Prishtinës për përpjekjet e bëra në realizimin e kësaj konference, me fokus zhvillimin e industrisë së qumështit në Kosovë. Në shumë vende, siç është edge Kosova, industria e qumështit nuk e ka arritur ende potencialin e plotë. Andaj ne jemi këtu të ju ndihmojmë ta zhvilloni vendin tuaj në këtë sektor dhe të gjejmë mundësi të reja drejtë zhvillimit të industrisë së qumështit.”, ka theksuar profesor Youngs.
“Mundësitë dhe zhvillimi i industrisë së qumështit në Ballkan dhe më gjerë” është një konferencë ndërkombëtare e cila synon edukimin e pjesëmarrësve të involvuar në industrinë e qumështit, përmes sesioneve të zhvilluara nga ekspertë të fushës në fjalë.

