UP-ja dhe Komuna e Prishtinës nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim ndërinstitucional

27 Prill 2022
SHARE

Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u nënshkrua sot marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet UP-së dhe Komunës së Prishtinës.

Memorandumi u nënshkrua nga rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Ujdia e arritur parasheh hartimin dhe zbatimin e përbashkët të projekteve, organizimin e forumeve profesionale në fushat relevante për palët, realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët, harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojat e tregut të punës si dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore.

Në deklaratën e tij, rektori Sahiti, u shpreh i lumtur për arritjen e kësaj marrëveshjeje, teksa theksoi gatishmërinë e UP-së për zhvillimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë me pushtetin lokal.

Ndërkaq, kryetari Rama ka vlerësuar lart profesionalizmin e UP-së, duke u shprehur se si komunë janë të gatshëm të bashkëpunojnë me UP-në në projekte të rëndësishme për komunitetin.