Qendra për Zhvillim të Karrierës në UP feston 15-vjetorin e themelimit

22 Prill 2022
SHARE

Më 24 prill 2007, në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare e Universitare të Kosovës, ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Enver Hasani, dhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë në atë kohë, z. Werner Wnendt, bënë hapjen solemne të Qendrës për Shërbime të Studentëve (LINK), që sot quhet Qendra për Zhvillim të Karrierës.

“Studentët e Universitetit të Prishtinës tani kanë burime më të mira për t'u përgatitur për tregun e punës, falë Qendrës për Shërbime Studentore, të inauguruar sot nga Misioni i OSBE-së në Kosovë”, thuhet në lajmin e postuar në ueb faqe të OSBE-së më 24 prill 2007.

"Investimi në arsim është investim në të ardhmen. Kjo është e vërtetë kudo në botë, por është veçanërisht e rëndësishme në Kosovë, ku ka kaq shumë të rinj. Qendrat janë elemente të një reforme më të gjerë që synon të hapë rrugën për integrimin e Universitetit të Prishtinës në komunitetin evropian të arsimit të lartë”, pati thënë ambasadori Werner Wnendt, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, gjatë ceremonisë së hapjes së QZhK-së (ish-Link).

Qendra për Zhvillim të Karrierës në Universitetit të Prishtinës u hap për të shërbyer si një urë lidhëse për studentët, duke ofruar mundësi për zhvillim personal, akademik dhe profesional përmes informacionit, këshillimit akademik dhe udhëzimit në karrierë. 

Klemen Miklaviq, sot studiues në Qendrën për Studime të Politikave Arsimore (CEPS) të Universitetit të Lubjanës, në artikullin e tij me titull “Arsimi i Lartë dhe Bota e Punës: Lidhje të reja nëpërmjet Procesit të Bolonjës”, të botuar në numrin e dytë të revistës Thesis Kosova në vitin 2009, përmend Qendrën LINK (sot Qendra për Zhvillim të Karrierës) në Universitetin e Prishtinës, duke treguar se kjo zyre ka intensifikuar me të madhe ofertat për vende të punës praktike dhe, pas diplomimit, punësim për studentët e universitetit dhe të diplomuarit.

Ndër vite, QZhK-ja ka arritur të intensifikojë aktivitetet dhe të zgjerojë shërbimet dhe trajnimet, duke ofruar mundësi ndërlidhjeje me tregun e punës për studentët dhe të diplomuarit, përmes informimit dhe këshillimit në karrierë. Gjithashtu, zyra e QZhK-së, për herë të parë në Kosovë, ka sjellë Panairin e Karrierës në formatin virtual, në vitin 2015, dhe ka digjitalizuar shërbimet e udhëzimit e këshillimit në karrierë përmes platformës ‘e-Karriera’ në vitin 2017.

QZhK-ja bashkëpunon me mijëra institucione publike e private, kompani vendore e ndërkombëtare, për të sjellë te studentët dhe të diplomuarit mundësitë më të fundit që ofrohen për zhvillimin e tyre në karrierë. QZhK-ja sigurohet që, përmes shërbimeve të saj, t’u ofrojë studentëve krijimin e dokumenteve të aplikimit sipas trendeve të fundit që kërkohen nga tregu i punës. Mbetemi të përkushtuar në ngritjen e kualitetit të shërbimeve dhe zgjerimin e gamës së shërbimeve për studentët dhe të diplomuarit tanë. Sot, QZhK-ja gjendet me zyre në të njëjtin lokacion (në BKUK) dhe ka dy këshilltarë për karrierë.

Është kënaqësi e QZhK-së që, për këto 15 vjet, ka bashkëpunuar me studentët e të diplomuarit, të cilët sot janë partnerë të Universitetit të Prishtinës (www.uni-pr.edu). I falënderojmë të gjithë ata që na mbështetën dhe u jemi mirënjohës për bashkëpunimin. 

Urime!