Në UP, promovohet libri “50 Vjet Marrëdhënie me Jashtë”

21 Prill 2022
SHARE

Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u promovua libri “50 Vjet Marrëdhënie me Jashtë” i autorit ambasador Dashnor Dervishi.

Promovimin e librit e përshëndeti rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. Ai e vlerësoi lart punën e bërë në hedhjen në dritë të këtij libri, i cili, sipas rektorit Sahiti, do të jetë një dritare e rëndësishme edhe në shërbim të studentëve, të cilët studiojnë marrëdhënie ndërkombëtare apo diplomacinë e kanë pasion dhe synim karriere. “Që nga sot sirtarët e bibliotekave shqiptare do të kenë në përbërjen e tyre edhe dy vellime të një kalibri të lartë, dedikuar misionit diplomatik dhe shërbimit me jashtë të ambasadorit Dervishi”, theksoi rektori.

Rreth rëndësisë së librit për diplomacinë foli edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi. Ai tha që ambasador Dervishin e konsideron si figurën më të veçantë të diplomacisë shqiptare. Tutje Minxhozi foli edhe për veprimtarinë e ambasadorit Dervishi në Ballkan, në veçanti për kontributin e tij në çështjen e Kosovës.

Në anën tjetër, autori i librit, ambasadori Dervishi, promovimin e librit të tij në Prishtinë e konsideroi si kurorëzim të të gjithë veprimtarisë diplomatike. “Zyrtarisht kam përfaqësuar shtetin shqiptar, por veprimtaria ime ka qenë përfaqësimi i kombit shqiptar – trevave tona dhe shqiptarëve kudo që ndodhen,” tha ambasadori Dervishi.

Ndërkaq, profesori Zenun Halili, recensent i librit, paraqiti para të pranishmëve biografinë e shkurtër të autorit, si dhe theksoi që ky libër sjell për lexuesit njohuri bindëse për marrëdhëniet me jashtë dhe diplomacinë.

Libri “50 Vjet Marrëdhënie me Jashtë”, në dy vëllimet e tij të promovuar në këtë ngjarje, është libër me anë të të cilit, ambasadori Dervishi tregon për veprimtarinë e tij diplomatike. Me këtë “maratonë diplomatike”, autori synon të dhurojë kontributin e tij për brezat e diplomatëve të sotëm dhe të ardhshëm.