UP-ja organizon trajnim për shkrimin e artikujve shkencorë në kuadër të projektit ResearchCult

14 Prill 2022
SHARE

Në kuadër të projektit ResearchCult, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, në datat 11-13 prill, ka organizuar trajnimin e radhës për ngritjen e kapaciteteve të stafit akademik të universiteteve partnere në projekt, lidhur me shkrimin e artikujve shkencorë. Në këtë organizim morën pjesë përfaqësues të universiteteve ndërkombëtare, partnere në projektin ResearchCult, si: Universiteti La Sapienza - Itali, Universita per Stranieri di Siena - Itali, Universiteti i Zagrebit - Kroaci, Universiteti UNWE – Bullgari, IBC-M dhe universitetet tjera publike në Republikën e Kosovës.

Prorektori për kërkime shkencore në Universitetin e Prishtinës, prof. dr. Kurtesh Sherifi, iu uroi mirëseardhje të pranishmëve në këtë ngjarje si dhe i vlerësoi lart nismat e tilla, të cilat synojnë avancimin e stafit akademik. Më pas, koordinatori i projektit nga ana e UP-së, prof. asoc. dr. Avni Hajdari, dhe koordinatori i projektit në institucionin bartës, prof. Bujar Gallopeni, moderuan trajnimin, duke realizuar agjendën e planifikuar së bashku me partnerët e tjerë në projekt.

Trajnimi kishte target stafin akademik të universiteteve partnere të projektit, të ndarë në dy grupe: të shkencave sociale dhe të shkencave të natyrës.

Projekti "Zhvillimi i Kulturës Kërkimore në Arsimin e Lartë në Kosovë - ResearchCult" është projekt në kuadër të programit Erasmus, financuar nga Komisioni Evropian dhe koordinuar nga IBC-M.

Për informata më të hollësishme rreth projektit, luteni të vizitoni faqen zyrtare: https://researchcult.net/