UP-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar

01 Prill 2022
SHARE

Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u nënshkrua sot marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet UP-se dhe Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar. Marrëveshja ka për synim thellimin e bashkëpunimit midis palëve në funksion të forcimit dhe përmirësimit të qasjes dhe të kushteve për studentët me aftësi të kufizuara.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe kryetari i FKAK-së, Bujar Kadriu.

I lumtur për arritjen e kësaj ujdie u shpreh rektori Sahiti, i cili njëherësh theksoi rëndësinë për krijimin e mundësive të barabarta për studentët me aftësi të kufizuara që janë pjesë e UP-së. “Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, do të hapen rrugët për bashkëpunim më të mirë me ju dhe sigurisht do të ofrojmë lehtësira dhe mundësi më të mëdha për studentët me aftësi të kufizuara që vijojnë studimet në UP,” tha rektori.

Ndërkaq, kryetari Kadriu falënderoi rektorin Sahiti për gatishmërinë dhe bashkëpunimin në procesin e zyrtarizimit të kësaj marrëveshjeje. “Uroj që kjo marrëveshje e bashkëpunimit të reflektojë te studentët e ardhshëm dhe ata aktual në UP, në mënyrë që ata ta ndiejnë veten të barabartë me studentët e tjerë,” tha Kadriu.

Me këtë rast, të dy palët u zotuan se do t’u përmbahen me përpikëri dispozitave të marrëveshjes, në mënyrë që studentët të mund të përfitojnë nga implementimi i saj.