Organizohet punëtori për hartimin e rregullores për etikë dhe integritet në kërkime shkencore

18 Mars 2022
SHARE

Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, është mbajtur punëtori dyditore me qëllim hartimin e rregullores për etikë dhe integritet në kërkimet shkencore, në kuadër të projektit “Enhancing Research Culture in Higher Education in Kosovo”.

Punëtoria filloi me fjalimin e prorektorit për kërkime shkencore, prof. dr. Kurtesh Sherifi, i cili foli për rëndësinë e rregullores për etikë dhe integritet, duke e vlerësuar si të domosdoshme për të lehtësuar dhe ngritur integritetin e publikimeve shkencore, të publikuara nga stafi dhe studentët e UP-së.

Takimi i grupit punues u koordinua nga koordinatori i projektit ResearchCult, prof. asoc. Avni Hajdari dhe kontribut të rëndësishëm në këtë takim dhe në tërë procesin e përpilimit të kësaj rregullore në koordinim me prorektorin për shkencë dhe koordinatorin e projektit, ka dhënë në vazhdimësi edhe prof. dr. Avdulla Alija.

Në këtë grup punues, të ftuar ishin përfaqësues nga të gjitha njësitë akademike. Secili nga përfaqësuesit dha kontribut dhe pati shkëmbim idesh e propozimesh, për të arritur deri tek hartimi i versionit më të pranueshëm të draftit të rregullores për etikë dhe integritet në kërkime shkencore. Si konkluzion i përbashkët nga të gjithë pjesëmarrësit, kjo rregullore parashihet si mjet që do të ndihmojë, sqarojë, funksionalizojë dhe thjeshtësojë procesin e publikimeve dhe projekteve kërkimore-shkencore për stafin dhe studentët e Universitetit të Prishtinës.