Diskutohen mundësi bashkëpunimi mes UP-së dhe universiteteve në Bangladesh

16 Mars 2022
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Bangladeshit në Gjermani, përgjegjës edhe për Kosovën, z. Mosharraf Hossain Bhuiyan, me të cilin diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë.

Fillimisht, rektori Sahiti e informoi ambasadorin për historikun e UP-së, si dhe për interesin për bashkëpunim dhe angazhim në krijimin e marrëdhënieve bilaterale me universitete ndërkombëtare.
Universiteti i Prishtinës, përveç që është universiteti më i madh publik në Kosovë, është edhe një prej universiteteve më të mëdha në rajon. Andaj, dera e UP-së është e hapur për çfarëdolloj bashkëpunimi në fushën e edukimit me universitetet e Republikës së Bangladeshit. Interesi ynë është shumë i madh, që ne si universitet t’i zgjerojmë marrëdhëniet tona ndërkombëtare”, është shprehur rektori Sahiti.

Në takim prezent ishte edhe prorektorja e UP-së, prof. asoc. Albulena Blakaj, e cila ka theksuar disa prej aktiviteteve konkrete, përmes të cilave UP-ja mund të bashkëpunojë dyanshëm me  Bangladeshin, siç është shkëmbimi i studentëve dhe stafit për mësimdhënie dhe trajnim, partneriteti në kuadër të programit Erasmus+ dhe pjesëmarrja e studenteve apo stafit nga universitetet e Bangladeshit në Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës.

Në anën tjetër, ambasadori Bhuiyan theksoi se Republika e Bangladeshit ka një politikë të marrëdhënieve ndërkombëtare gjithëpërfshirëse. “Bangladeshi ka shumë kurse, të cilat aplikohen në gjuhën angleze, prandaj studentët dhe stafi akademik i UP-së janë të mirëseardhur”, ka thënë ambasadori Bhuiyan.

Në bisedë e sipër, u diskutua edhe për mundësitë e shkëmbimit të profesorëve, kryesisht në fushën e mjekësisë dhe inxhinierisë, në periudha të caktuara. Një bashkëpunim i tillë do të forconte integrimin e UP-së në sferën ndërkombëtare.