Universiteti i Prishtinës zë vendin e gjashtë në Garën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Budapest

10 Mars 2022
SHARE

Grupi përfaqësues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, pjesëmarrës në Garën Ndërkombëtare të Drejtësisë “Philip C. Jessup International Moot Court Competition”, e cila këtë vit u mbajt në Budapest të Hungarisë, ka arritur të radhitet në vendin e gjashtë në nivel evropian. 

Ekipi, i përbërë prej studentëve Dea Fetiu, Nol Musa, Eranda Zekaj dhe Rinor Gjergji, ka arritur që pas vetes të lërë shumë universitete të njohura, duke përfshirë edhe fitoren kundër Hungarisë, e cila ka mbajtur titullin e kampionit evropian dhe atij botëror, në vitin 2019. Kësisoj, UP-ja u bë edhe pjesë e shumë diskutimeve në fushën e drejtësisë, duke marrë vëmendjen e shumë gjyqtarëve evropianë, si “shembull i një vendi të ri”.

Meritë e këtij suksesi kanë qenë edhe trajnerët e ekipit përfaqësues, Rina Mehana dhe Bonita Salihu.

Këtë vit kemi shënuar një fitore të madhe, ku ekipi ynë është renditur i 6-ti në raundet evropiane, duke lënë pas shumë universitete të tjera të njohura. Se sa ekip kualitativ ka qenë, dëshmohet edhe me faktin se ekipi ynë e fitoi raundin kundër Hungarisë”, ka thënë trajnerja Mehana.

Tash e sa vite, UP-ja, jo vetëm që merr pjesë në gara me dimension ndërkombëtar, por edhe lë gjurmë akademike me performancën e studentëve të saj.