Prorektorja për mësimdhënie dhe çështje për studentë, prof. asoc. dr. Mimoza Ibrani, dhe Fitim Seferi nga Zyra për Kërkim dhe Projekte të Sponsorizuara në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, pritën në takim përfaqësues të Ambasadës Franceze në Prishtinë dhe ekspertin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të shtetit francez, z. Cédric GROUSSET, ekspert i DCSD (Drejtoria Qendrore e Sigurisë dhe e Mbrojtjes).
Arsye e takimit ishte identifikimi i mundësive të bashkëpunimit në projektin Cyber Balkans, që si qëllim ka ndërtimin e kapaciteteve në parandalimin e krimit kibernetik dhe ngritjen e sigurisë kibernetike. Ky projekt mbështetet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme të Francës.
Universiteti i Prishtinës shihet si institucion lider i arsimit të lartë në Republikën e Kosovës dhe si i tillë edhe partner kredibil në projekt.
Prorektorja Ibrani, duke i njoftuar ata me kapacitetet aktuale, kurrikulat të cilat trajtojnë temat e sigurisë kibernetike dhe potencialin e Universitetit të Prishtinës, ua shfaqi gatishmërinë për të bashkëpunuar në këtë projekt.