Sot, zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, z. Rainer Wieland, ka vizituar rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku është pritur në takim nga rektori, prof. dr. Naser Sahiti.
Sahiti, në këtë takim, ishte i shoqëruar nga prorektorja për mësimdhënie dhe çështje për studentë, prof. asoc. dr. Mimoza Ibrani, prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj dhe prorektori për zhvillim dhe cilësi, prof. ass dr. Elton Bahtiri.
Sahiti u shpreh i lumtur për vizitën që z. Wieland ia ka bërë Universitetit të Prishtinës. Rektori informoi z. Wieland me progresin e UP-së, ndërkaq foli në veçanti për tri fokuset kryesore në të cilat universiteti është duke punuar. “Ta bëjmë UP-në më të pranishëm në fushën ndërkombëtare, përmes mobiliteteve për profesorë dhe studentë, ngritja e kërkimit shkencor dhe ofrimi i shërbimit për palët e treta - industrinë dhe komunitetin, janë fushat kryesore në të cilat UP-ja është duke punuar” tha Sahiti. Ai theksoi po ashtu gatishmerinë e UP-së për të bashkëpunuar me universitete evropiane, në veçanti në ngritjen e aktivitetit shkencor.
Në anën tjetër, zëvendëspresidenti Wieland e falënderoi rektorin Sahiti për pritjen. Ai inkurajoj UP-në që të krijojnë kontakte me universitete por edhe figura të rëndësishme në Bashkimin Evropian. Njëherësh, theksoi që duhet të punohet shumë në ngritjen e imazhit të Kosovës jashtë vendit dhe UP-ja mund të kontribuoj në këtë drejtim.
Çështja e vizave, rëndësia e administratës publike dhe sigurimi i përvojave ndërkombëtare për stafin dhe studentët ishin tema të tjera për të cilat u diskutua gjatë takimit.
Pas vizitës në rektorat, zëvendëspresidenti Wieland takoi studentë të UP-së nga secila njësi akademike. Së bashku me Wieland, studentët diskutuan rreth çështjeve me interes për vendin dhe zhvillime aktuale në botë.