Certifikohen pjesëmarrësit e trajnuar në fushën e përgatitjes dhe menaxhimit të projekteve

17 Shkurt 2022
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim të ngushtë me projektin “HERAS Plus”, ka mbajtur punëtorinë përmbyllëse të programit të trajnimeve në fushën e përgatitjes dhe menaxhimit të projekteve. Ky program, i cili filloi në qershor të vitit 2021, kishte për synim ngritjen e kapaciteteve të UP-së në fushën e hartimit të projektpropozimeve, të cilat do të mund të financohen nga instrumente dhe programe të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Programi u zhvillua në tri faza, ndërsa përfitues ishin 20 pjesëtarë të stafit akademik të UP-së, të përzgjedhur përmes një thirrjeje të hapur të publikuar nga UP-ja, me përkrahjen e projektit “HERAS Plus”.

Përveç trajnimeve, në secilën fazë, pjesëmarrësit e programit të trajnimeve në fushën e përgatitjes dhe menaxhimit të projekteve janë përkrahur edhe me sesione mbështetëse mentorimi me synim konkretizimin e projektideve të paraqitura deri në finalizimin e projektpropozimeve. Gjithashtu, është punuar edhe në ngritjen e kapaciteteve në fushën e menaxhimit të suksesshëm të projekteve të fituara.

Në përmbyllje të këtij aktiviteti të suksesshëm morën pjesë rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, znj. Sandra Horina, nga zyra në Prishtinë e Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), në cilësinë e donatorit të Projektit “HERAS Plus”, si dhe udhëheqësi i projektit “HERAS Plus”, z. Aqim Emurli. 

Në takimin përmbyllës, rektori Sahiti i përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit për përfundimin me sukses të këtij trajnimi, i cili, sipas tij, do t’u shërbejë atyre por edhe institucionit. Sahiti ka theksuar që UP-ja do të vazhdojë të përkrahë iniciativa të reja të cilat mundësojnë avancimin e institucionit. Ndërsa, znj. Horina, nga ADA, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së UP-së në projekte zhvillimore dhe kërkimore, të ofruara në kuadër të instrumenteve financiare të Bashkimit Evropian. Në anën tjetër, në emër të projektit “HERAS Plus”, udhëheqësi i projektit, z. Aqim Emurli, e përgëzoi lidershipin e UP-së për angazhimin konkret në avancimin e pozitës së universitetit në fusha që ndërlidhen me projektet dhe partneritetet ndërkombëtare. Në sesionin përmbyllës, atë të ndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit, foli edhe prorektorja e UP-së për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, e cila e falënderoi projektin “HERAS Plus” për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që po i ofron UP-së.

Programi i trajnimeve në fushën e përgatitjes dhe menaxhimit të projekteve është dizajnuar nën përkujdesjen e prorektores së UP-së për bashkëpunim ndërkombëtar. Ky program ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së UP-së në projekte zhvillimore dhe kërkimore ndërkombëtare, siç janë ERASMUS+, HORIZON Europe, etj., duke ndërmarrë hapa për ndërtimin e kapaciteteve të brendshme për thithje të fondeve, si dhe zbatim të suksesshëm të projekteve të fituara.