Rektori Sahiti takon kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama

04 Shkurt 2022
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, është pritur sot në takim nga kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama.

Në këtë takim, rektori Sahiti dhe kryetari Rama diskutuan për forma të ndryshme të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve respektive, të cilat do të mund të rezultonin me ndryshime pozitive në komunitet.

Sahiti ofroi gatishmërinë e UP-së për të formalizuar partneritetin me komunën, me anë të të cilit do të hapeshin rrugët për realizim të projekteve të përbashkëta, por edhe për angazhimin e studentëve të UP-së në punë praktike në komunë. “Me anë të bashkëpunimit me komuna, UP-ja synon të realizojë misionin e tij për shërbim ndaj qytetarëve. Komuna e Prishtinës është prijëse dhe bashkëpunimi me UP-në, si institucion prijës i arsimit të lartë në vend, do të duhej të shërbejë si shembull edhe për komunat e tjera,” tha rektori.

I pari i Prishtinës, z. Rama, e falënderoi rektorin për iniciativën e marrë për të zhvilluar takim së bashku. Ai shtoi që kuadrot profesionale të UP-së, por edhe studentët, të cilët janë duke u përgatitur profesionalisht, do të jenë ndihmesë proaktive për komunën.

Palët u dakorduan që në ditët në vijim bashkëpunimi i ndërsjellë të formalizohet me nënshkrimin e një marrëveshjeje të bashkëpunimit. Vlen të theksohet që gjatë këtij takimi, u diskutuan edhe tema të tjera të rëndësishme për UP-në, siç janë: shfrytëzimi i resurseve humane të UP-së për realizimin e projekteve komunale; ndërtimi i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore dhe zgjerimi i kampusit universitar; adresimi i problemit me qentë endacakë në kampus, e të tjera çështje relevante.