Punimet e realizuara në objektin e ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” i ka vizituar sot nga afër rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti.
Në këtë vizitë rektori Sahiti ishte i shoqëruar nga prorektorja për buxhet dhe financa, prof. dr. Mihane Berisha, dhe prorektori për kërkim shkencor, prof. dr. Kurtesh Sherifi, ndërkaq, u takua me dekanin e FBV-së, prof. asoc. dr. Bedri Dragushën dhe prodekanen për çështje financiare, prof. asoc. dr. Jehona Shkodrën.
Fillimisht, rektori Sahiti e vizitoi shërbimin studentor të këtij fakulteti, nga i cili u informua për sfidat aktuale që ka në objektin, ku aktualisht operojnë. Rektori u njoftua nga menaxhmenti i FBV-së me mbarëvajtjen e punimeve në objektin e ri, ndërkaq informoi menaxhmentin e Fakultetit që është ndarë buxheti i veçantë për inventarizimin e këtij objekti dhe parashihet që shumë shpejt të kalojnë procedurat e nevojshme për të nisur këtë proces.
Të pranishmit shprehën optimizmin e tyre dhe vullnetin për të mbështetur punonjësit përgjegjës, në mënyrë që viti i ardhshëm akademik, për studentët e këtij fakulteti, të nisë në objekt të ri.
Sahiti theksoi se vizita të tilla, do të bëhen edhe në vazhdim nga ana e menaxhmentit të UP-së, duke dëshmuar kështu edhe gatishmërinë e menaxhmentit për punë të përbashkët, që projekti të finalizohet sa më parë.