TePema – startupi i studentëve të UP-së, fitues i akseleratorit të parë evropian të startupeve në Ballkanin Perëndimor

19 Janar 2022
SHARE

TePema, startup që ofron zgjidhje të gjelbërta për hapësirat publike, është fitues i çmimit të parë të edicionit të tretë të Uplift Western Balkans Acceleration Program, i cili këtë vit është mbajtur për herë të parë në nivel rajonal.

Partner i organizimit të këtij edicioni ka qenë edhe Universiteti i Prishtinës, nëpërmjet VentureUP – inkubatorit zyrtar të tij.

Në këtë garë, 10 startupe nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut iu bashkuan programit të akselerimit të Uplift Western Balkans për 4 muaj. Dhjetëra takime, trajnime, punëtori me ekspertë, profesionistë, investitorë dhe përfaqësues të komunitetit të startupeve nga rajoni dhe Evropa shoqëruan themeluesit e startupeve të Uplift Western Balkans.

Përpara momentit të Demo-Day, startupet për rreth 60 minuta, kanë pasur mundësinë të takohen me dhjetëra investitorë të ardhur enkas nga e gjithë bota. GoConf, DrejtShkruaj, Spyvio, Imortelle, ARMMA, ArchiGames, VR Drive, TePema, Envicon dhe Pinca prezantuan përballë jurisë produktet dhe misionet e tyre.

Finalja e edicionit të tretë u mbyll me akordimin e çmimeve për startupet më të mira.

TePema, fituesi i këtij edicioni, është startup, i krijuar nga studentët e UP-së, i cili ka për mision ngritjen e mirëqenies së njerëzve dhe planetit, si dhe planifikon zgjerimin gjeografik me lansimin e produkteve të reja, për të afirmuar vizionin e tij.

Uplift Western Balkans është një përpjekje mbi trevjeçare me misionin për të zhvilluar dhe demokratizuar ekosistemin e sipërmarrjes dhe startupeve në Ballkanin Perëndimor.