Diskutohen gjetjet e raportit për vlerësimin e autonomisë universitare në kuadër të projektit STAND

28 Dhjetor 2021
SHARE

Duke u bazuar në njohuritë e fituara nga punëtoritë me institucionet e vendeve të BE-së për adaptimin e praktikave më të mira për qeverisjen universitare, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nisur me punëtoritë me stafin e brendshëm, brenda grupeve të 4 dimensioneve të parapara: organizative, financiare, akademike dhe të çështjeve të stafit.

Në kuadër të projektit Fuqizimi i autonomisë së universiteteve dhe ngritja e llogaridhënies dhe transparencës në universitetet e Ballkanit Perëndimor – STAND, projekt ky që synon të përmirësojë proceset dhe mekanizmat e autonomisë universitare duke rritur kapacitetet menaxhuese, llogaridhënien dhe transparencën e universiteteve në Ballkanin Perëndimor, UP-ja zhvilloi të premten takimin e parë informues për gjetjet e Raportit të Vlerësimit të Kartelës Matëse të Autonomisë Universitare, në kuadër të projektit

Hapjen e takimit e bëri prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, njëherësh koordinatore e projektit STAND për UP-në, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj. Prorektorja Blakaj foli për progresin që UP-ja ka shënuar si partner i projektit STAND, duke përmendur aktivitetet e organizuara në kuadër të projektit. Ajo ftoi stafin që t’u bashkohet këtyre takimeve për të diskutuar rreth raportit për vlerësim të autonomisë universitare, e ku janë të mirëseardhura perspektivat dhe sugjerimet e secilit anëtar të stafit.

Takimi ka vijuar me prezantimin e raportit nga ana e profesorit Avdulla Alija, koordinator i Task Forcës nga ana e UP-së. Pas prezantimit të raportit, vijoi diskutimi i hapur nga të pranishmit, ndërkaq stafi pjesëmarrës u dakordua që takimet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. 

STAND është projekt, i cili bashkëfinancohet nga programi Erasmus+ dhe Bashkimi Evropian. Qëllimi i projektit STAND është përmirësimi i proceseve dhe mekanizmave të autonomisë në universitete, duke rritur kapacitetet menaxhuese, llogaridhënëse dhe transparente në universitetet e Ballkanit Perëndimor (Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri).