Certifikohen 59 auditorë të energjisë

17 Dhjetor 2021
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti dhe zëvendësministri i Ekonomisë, z. Mentor Arifaj u kanë ndarë certifikatat auditorëve të energjisë të certifikuar për auditimin e energjisë në ndërtesa dhe ndriçimin publik.

Trajnimi është realizuar nga Qendra për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ) që vepron në kuadër të UP-së, e cila në këtë fazë ka trajnuar 59 auditorë të energjisë. Për shkak të situatës me pandeminë, në ceremoninë e organizuar në Ministrinë e Ekonomisë, certifikatat në mënyrë solemne iu ndanë vetëm një numri të kufizuar të auditorëve.

Rektori, prof. dr. Naser Sahiti ka falënderuar të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në trajnimin dhe përgatitjen e certifikuesve të energjisë, i cili sipas tij, ka një rëndësi shumë të madhe për zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm të trajnimit të auditorëve. Rektori shtoi që UP-ja ka kapacitete të mëdha intelektuale e profesionale për ofrimin e trajnimeve për auditorë të energjisë.

Në anën tjetër, zëvendësministri Arifaj tha se është e rëndësishme që trajnime të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ai shtoi se është me të vërtetë kënaqësi të shohësh investimet që po bëhen në trajnimet dhe përgatitjen e kandidatëve për auditimin e energjisë në Kosovë, për ndërtesa dhe ndriçim publik. 

Auditorët e certifikuar në këtë grup të trajnimit janë nga fushat si: arkitektura, ndërtimtaria, inxhinieria elektrike dhe mekanike. Ky është grupi i dytë i auditorëve të certifikuar, i cili çon në 114 numrin e të certifikuarve. Procesi i trajnimit të auditorëve do të vazhdojë edhe në të ardhmen.