VentureUP përkrah gratë ndërmarrëse

13 Dhjetor 2021
SHARE

Gara ndërkombëtare për gratë ndërmarrëse, gjysmëfinalja e Women Startup Competition (WSC), është mbajtur për herë të parë në Kosovë, duke mbledhur në hapësirat e Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina" një sërë ekipesh kreative, të udhëhequra nga gratë dhe shumë mentorë, trajnerë, sponsorë dhe përkrahës të tjerë.

VentureUP dhe Arbëresha Talla, ambasadore e WSC-së për Kosovën, në këtë garë dyditore, kanë mbështetur gratë sipërmarrëse të përzgjedhura, për të avancuar modelet e tyre të biznesit dhe për të përfaqësuar pozitivisht krijimtarinë e grave të Kosovës në finalen ndërkombëtare.



Hapjen e garës për përkrahje të grave ndërmarrëse e përshëndeten prorektori për kërkime shkencore në UP, prof. dr. Kurtesh Sherifi, ish-presidentja, znj. Atifete Jahjaga, dhe znj. Emira Gashi nga Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë. Ndërkaq, më shumë rreth këtij kompeticioni folën drejtori ekzekutiv i VentureUP, z. Mentor Rexhepi, dhe Arbëresha Talla, ambasadore e WSC-së për Kosovën.

Tetë ekipe të përzgjedhura, të drejtuara nga gratë, morën mbështetje nga mentorë profesionistë në avancimin e modeleve të tyre të biznesit dhe përgatitjen e prezantimeve të tyre. Në fund të garës, anëtarët e jurisë zgjodhën tri ekipe për të vazhduar më tej dhe për të konkurruar në finalen e madhe me gra të tjera sipërmarrëse ndërkombëtare.

Tri skuadrat që do të përfaqësojnë Kosovën në garën finale ndërkombëtare janë:
1. medicarebox.eu (zgjidhje digjitale për të mbështetur të moshuarit që të marrin rregullisht barnat e tyre),
2. Hajde Folim (platformë digjitale për mirëqenien e shëndetit mendor) dhe
3. Leka - Lamps ( llambat elektrike të bëra nga druri i ricikluar).