Në UP diskutohet për Raportin e Vlerësimit të Kartelës Matëse të Autonomisë Universitare në Kosovë

09 Dhjetor 2021
SHARE

Në kuadër të projektit “Fuqizimi i Autonomisë së Universiteteve dhe Ngritja e Llogaridhënies dhe Transparencës në Universitetet e Ballkanit Perëndimor – STAND”, partner në të cilin është Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, është mbajtur sot tryezë diskutimi për të prezantuar Raportin e Vlerësimit të Kartelës Matëse të Autonomisë Universitare në Kosovë.

Punimet e tryezës i përshëndeti rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, i cili falënderoi partnerët, me të cilët UP-ja do të punojë së bashku drejt avancimit të proceseve dhe mekanizmave të autonomisë universitare në universitetet, pjesë të konsorciumit.
Autonomia universitare nuk është vetëm privilegj, por para së gjithash përgjegjësi për ngritjen e kapaciteteve menaxhuese, me qëllim të sigurimit të funksionimit efikas, transparent dhe me llogaridhënie adekuate, në raport me të gjitha zhvillimet brenda universitetit. Në këtë kontekst, projektin STAND e konsiderojmë si shumë të rëndësishëm për zhvillimin dhe avancimin tutje të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, në aspektin e zhvillimit të një skeme të qëndrueshme të funksionimit efikas dhe autonom të arsimit të lartë, skema këto, të cilat nuk është se janë të zhvilluara në asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë pjesë e projektit aktual,” tha rektori Sahiti.

Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, u shpreh se presin nga universitetet dhe institucionet e arsimit të lartë që të jenë plotësisht transparente dhe llogaridhënëse në shfrytëzimin e buxhetit dhe fondeve publike.


STAND është projekt, i cili bashkëfinancohet nga programi Erasmus+ dhe Bashkimi Evropian. Rreth projektit dhe mbështetjes së BE-së në këtë partneritet foli edhe përfaqësuesi nga Zyra e BE-së në Kosovë, z. Stergios Tragoudas, menaxher i programit për zhvillim në arsim dhe burime njerëzore.

Në anën tjetër, prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, e cila është edhe koordinatore nga ana e UP-së në këtë projekt, shtoi që UP-ja, si partner në këtë projekt, përveç tjerash, ka rol udhëheqës në veçanti në paketën e 2-të të punës, që ka të bëjë me zhvillimin e kartelave të vlerësimit të autonomisë universitare dhe pikërisht drafti i Kartelës së Vlerësimit të Autonomisë Universitare, i prezantuar sot, është koordinuar nga UP-ja.

Ndërkaq, prof. Mihone Kerolli, nga kolegji IBC-M, në cilësinë e koordinatores së projektit STAND, tha se raporti i prezantuar sot, i cili paraqet gjendjen e autonomisë universitare, po zhvillohet në një kohë kur po ndodhin edhe reforma në arsim të lartë.

Tryeza e diskutimit ka vijuar me prezantimin e Raportit të Vlerësimit të Kartelës Matëse të Autonomisë Universitare në Kosovë, nga profesorët Bujar Gallopeni dhe Avdulla Alija, prezantim i cili u pasua me diskutim të hapur nga të pranishmit.

Kjo tryezë u zhvillua për të vërtetuar vlefshmërinë e procesit të vlerësimit, të realizuar në universitetet partnere (dhe universitete të tjera jopartnere të ftuara) si dhe në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI).  Ndërkaq, qëllimi i projektit STAND është përmirësimi i proceseve dhe mekanizmave të autonomisë në universitete, duke rritur kapacitetet menaxhuese, llogaridhënëse dhe transparente në universitetet e Ballkanit Perëndimor (Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri).