UP-ja, pjesë e iniciativës për edukimin joformal të nxënësve të Kosovës në sporte malore

07 Dhjetor 2021
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, zëvendësministren e Shëndetësisë, znj. Dafina Gexha, dekanin e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, prof. asoc. dr. Musa Selimi, dhe kryetarin e Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, z. Adrian Telaku, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi. Ky memorandum parasheh përfshirjen e rreth 400 nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në projekt të edukimit joformal në sportet malore, specifikisht në sportin e skijimit.

Për realizimin e këtij projekti, Universiteti i Prishtinës, respektivisht FEFS-i, do të bëjë trajnimin e nxënësve në sportin e skijimit, nëpërmjet stafit akademik. Ndërkaq, institucionet e tjera do të kontribuojnë në forma të ndryshme për të promovuar aktivitetin fizik dhe kapacitetet e Republikës së Kosovës për zhvillimin e sporteve malore. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 335,000.00 Euro për trajnimin e 400 nxënësve në sportin e skijimit, obligim i MASHTI-t do të jetë përzgjedhja e nxënësve dhe stafit përcjellës të tyre, Ministria e Shëndetësisë, sipas memorandumit, do të sigurojë stafin mjekësor dhe mjetet përcjellëse, ndërsa FSSHK-ja obligohet për mbarëvajtjen e organizimit dhe kryerjen e shpenzimeve të realizimit të këtij projekti.

Memorandumi përfshin mbështetjen e aktiviteteve në harkun kohor njëvjeçar, përkatësisht në vitet 2021 dhe 2022, ndërsa qëllimi është zhvillimi, avancimi dhe masivizimi i sportit në vendin tonë.