Në Zagreb po mbahet punëtoria e radhës e projektit ResearchCult – UP-ja përfaqësohet me prorektorët dhe stafi i tij

02 Dhjetor 2021
SHARE

Në punëtorinë e organizuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Arkitekturës Detare të Universitetit të Zagrebit në Kroaci, në kuadër të projektit ResearchCult (Enhancing Research Culture in Higher Education in Kosovo), po marrin pjesë përfaqësues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Prorektori për kërkime shkencore, prof. dr. Kurtesh Sherifi, prezantoi para të pranishmëve procedurat e promovimit shkencor dhe akademik në Universitetin e Prishtinës, ndërsa prorektori për zhvillim dhe cilësi, prof. ass. dr. Elton Bahtiri, bashkëmoderoi grupin punues të fokusuar në përcaktimin e kornizës së revistave shkencore që themelohen në fushën e kërkimeve mjekësore.

Meqë në kuadër të projektit është paraparë edhe krijimi i zyrave për mbështetje të projekteve hulumtuese dhe të sponsorizuara në kuadër të universiteteve të tjera publike, siç është Zyra për Kërkime dhe Projekte të Sponsorizuara në UP, në këtë punëtori katërditore po merr pjesë edhe zyrtari Fitim Seferi, përfaqësues i ZKPS-UP.

Qëllimi i projektit “ResearchCult” është që të mbështesë përmirësimin e kulturës së kërkimit në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, duke mbështetur zhvillimin e politikave dhe praktikave të mira, si dhe krijimin dhe instalimin e rregulloreve, strukturave dhe mekanizmave në institucionet përfituese të projektit në Kosovë. Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian.