Hapet aktiviteti 'KarrieraUP' në Universitetin e Prishtinës

26 Nëntor 2021
SHARE

Më 23 nëntor 2021, u bë hapja zyrtare e edicionit të dytë të aktivitetit “KarrieraUP”, i cili organizohet nga Qendra për Zhvillim të Karrierës në Universitetin e Prishtinës.

Ky aktivitet, i mbajtur virtualisht, synon orientimin në karrierë dhe ndërlidhjen me tregun e punës të studentëve dhe të diplomuarve të Universitetit të Prishtinës.

Hapja zyrtare e aktivitetit u bë nga prorektori për zhvillim dhe cilësi, prof. Elton Bahtiri, i cili e vlerësoi lart bashkëpunimin e ngushtë në mes të Universitetit të Prishtinës dhe tregut të punës dhe aktiviteteve të këtilla që synojnë ofrimin e këshillave nga punëdhënësit dhe rrjetëzimin e studentëve e të diplomuarve me përfaqësues të institucioneve pjesëmarrëse.

“Prezenca e një numri kaq të madh të ekspertëve nga departamentet e burimeve njerëzore është një vlerë, e cila sjell një mundësi unike profesionale dhe mbështetje për studentët dhe të diplomuarit tanë. Afërsia me tregun e punës dhe ndihma e jashtëzakonshme për studentët dhe të diplomuarit e Universitetit të Prishtinës është vlera që ne si menaxhment kemi investuar dhe vijojmë me këmbëngulje të lidhim ura të reja bashkëpunimi,të cilat ofrohen në tregun e punës,” tha prorektori prof. Bahtirime rastin e hapjes së këtij aktiviteti.

Në anën tjetër, znj. Anila Hajdari, nga kompania “AlexanderChapman”, në cilësinë e menaxheres së Departamentit të Burimeve Njerëzore dhe Zbulimin e Talenteve në këtë kompani, e cilësoi të jashtëzakonshme mundësinë që aktiviteti “KarrieraUP” ofron për promovimin e mundësive për praktikë dhe punësim te studentët dhe të diplomuarit e UP-së.

“Është një event i rëndësishëm për ne si kompani e re në Kosovë, ku përfitojnë njëkohësisht studentët dhe kompanitë, për t’u njohur drejtpërdrejt në mes vete”, tha znj. Hajdari.

Pas fjalimeve përshëndetëse me rastin e hapjes zyrtare të “KarrieraUP”, aktiviteti vijoi me prezantimin e mundësive që ofron kompania “Alexander Chapman” për zhvillim profesional të studentëve dhe të diplomuarve të UP-së.

Gjatë aktivitetit “KarrieraUP", i cili mbahet nga 23-25 nëntor 2021, do të realizohen prezantime nga nëntë institucione publike dhe private pjesëmarrëse në këtë event. Kompanitë pjesëmarrëse janë: Alexander Chapman, Teach For Kosova, Qendra e Aftësimit Profesional në RTK, Deloitte, Meridian, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, TrePharm, Banka Kombëtare Tregtare dhe Banka TEB.