Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka organizuar konferencë dyditore me temën “Shoqëria pas pandemisë COVID-19: Sfidat dhe zgjidhjet”.
Në hapje të konferencës, të pranishmëve iu drejtuan me fjalë rasti prof. dr. Naser Sahiti, rektor i Universitetit të Prishtinës, dhe prof. asoc. dr. Dashamir Bërxulli, dekan i Fakultetit Filozofik.
Rektori Sahiti u dëshiroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve në këtë aktivitet shkencor, të cilin e konsideroi si mundësi shumë të mirë që, larg virtuales, të shkëmbejmë njohuri dhe përvoja. Rektori foli për impaktin që pandemia ka pasur në institucionet e arsimit të lartë, por edhe te shoqëria në përgjithësi.
"Trajtimi i sfidave postpandemi në disa panele, nga ai i psikologjisë dhe punës sociale, i antropologjisë, sociologjisë dhe shkencave politike, fusha këto të përfshira në kuadër të Fakultetit Filozofik të UP-së, është një iniciativë shumë e rëndësishme, marrë parasysh ndikimin që ka pasur pandemia në jetët tona,” theksoi rektori Sahiti.
Ndërkaq, dekani Bërxulli foli për objektivat e konferencës. ”Fakulteti Filozofik e organizon këtë konferencë në përputhje me atë që e konsiderojmë si një nga shtyllat kryesore të misionit të akademisë: hulumtimi dhe dhënia e përgjigjeve për tema dhe dukuri me rëndësi parësore për shoqërinë,” theksoi Bërxulli. Ai u shpreh besimplotë që punimet dhe diskutimet në këto dy ditë të konferencës multidisiplinare të Fakultetit Filozofik do të përpiqen dhe do t’ia arrijnë të japin përgjigje adekuate për disa nga çështjet e ngritura nga tematikat e saj.
Punimet e konferencës “Shoqëria pas pandemisë COVID-19: Sfidat dhe zgjidhjet', në ditën e dytë të saj, u përshëndeten edhe nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci. Duke vlerësuar rëndësinë dhe nivelin e trajtimit shkencor të pandemisë prej COVID-19 nga profesorët e Fakultetit Filozofik, ministrja Nagavci tregoi gatishmërinë e ministrisë që ajo e drejton, për të përfillur gjetjet dhe rekomandimet e studimeve të prezantuara në këtë konferencë, gjatë plotësimit dhe zbatimit të politikave për menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Konferenca ka prezantuar punime nga studiues të Universitetit të Prishtinës, por edhe nga profesorë të universiteteve evropiane dhe të SHBA-së. Tematikat e trajtuara gjatë konferencës kanë qenë të ndara në dy panele: panelin e psikologjisë dhe punës sociale si dhe antropologjisë, sociologjisë dhe shkencave politike.