Rektori Sahiti përshëndet punimet e Kuvendit Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike

25 Nëntor 2021
SHARE

Në Tiranë, ka nisur sot punimet Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike, në të cilin po marrin pjesë mbi 180 studiues të shkencave albanologjike nga vendi dhe bota. Kjo ngjarje është organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave e Kosovës dhe bashkorganizatorë të tjerë, në mesin e tyre edhe Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Pjesëmarrës në këtë kuvend janë edhe rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar e UP-së, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj.

Rektori Sahiti u shpreh i nderuar që UP-ja është bashkorganizator i kësaj ngjarjeje, ku të pranishëm janë personalitetet më eminente të shkencave dhe artëve të kombit tonë.
Universiteti ynë ka një histori të bujshme kontributi dhënë për albanologjinë, që nga themelimi i tij, mbi një gjysmë shekulli më parë. Për gjuhën, vendin, kulturën e traditën tonë, këmbëngulja e studentëve dhe profesorëve tanë ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe ka shënuar kthesa historike për popullin. Ne si institucion, këtë kontribut vazhdojmë ta kemi prioritet edhe sot, duke ofruar programe nga disiplinat e albanologjisë në departamente të ndryshme të fakulteteve tona,” theksoi, ndër të tjerash, rektori Sahiti.

Ai shprehu bindjen e tij që paraqitja e prurjeve të reja nga treva të ndryshme të kombit tonë dhe studiues ndërkombëtarë të albanologjisë do të jetë një kontribut i rëndësishëm për studimet albanologjike në tërësi.

Punimet e kuvendit u përshëndeten edhe nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Lindita Nikolla, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja dhe drejtues të institucioneve të larta të të dyja vendeve.

Pjesë e këtij kuvendi, përveç në këshillin organizativ, do të jenë edhe profesorë të UP-së, të cilët do t’i prezantojnë gjetjet e tyre në letërsi, gjuhësi, antropologji, e disiplina të tjera të konferencës.