Diskutohet për mundësi të bashkëpunimit me universitete nga Franca dhe Zvicra

16 Nëntor 2021
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, i shoqëruar nga prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, ka pritur sot në takim z. Eric Leyvraz, ish-kryetar i Parlamentit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës dhe z. Tahir Shabani, president i Institutit për Bashkëpunim dhe Zhvillim, me seli në Francë, si dhe ambasador për paqen botërore.

Rektori Sahiti shprehu gatishmërinë e UP-së për të bashkëpunuar me Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim, e së bashku për të gjetur mënyrat e bashkëpunimit ndërinstitucional me universitete frankofone.

Edhe z. Leyvraz dhe z. Shabani u shprehen të lumtur për idenë e bashkëpunimit me UP-në dhe universitete prestigjioze zvicerane dhe franceze. Ata e falënderuan rektorin për pritjen dhe diskutuan së bashku rreth ideve të ndryshme, të cilat do të mund të përfshiheshin në këtë bashkëpunim.

Palët diskutuan për bashkëpunim në fushën e këmbimeve të përvojave akademike, mobiliteteve të stafit dhe studentëve, integrimin e potencialit akademik nga diaspora në UP dhe në fusha të tjera të rëndësishme të partneritetit.