Matja e përformancës së stafit akademik të UP-së, tema e diskutimit e punëtorisë së organizuar nga UP-ja dhe HERAS+

12 Nëntor 2021
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me HERAS+, ka organizuar punëtori dyditore për të diskutuar rreth përpilimit dhe mundësive për implementim të Udhërrëfyesit për matjen e përformancës së stafit akademik të Universitetit të Prishtinës.

Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin menaxhmenti i lartë i UP-së, Këshilli Drejtues, dekanët dhe përfaqësuesit nga projekti HERAS+.

Rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, tha që evaluimi i punës së stafit akademik është një objektiv i paraparë në programin e tij të menaxhimit të UP-së. Ai falënderoi HERAS+ për mbështetjen dhënë për UP-në në këtë projekt, duke angazhuar ekspertë ndërkombëtarë në përpilimin e draftit të këtij udhërrëfyesi, por njëherësh duke sjellë edhe përvojën e huaj në këtë proces.

Në anën tjetër, lideri i projektit HERAS+, z. Aqim Emurli, tha që është kënaqësi të bashkëpunojë me UP-në në realizimin e kësaj rregullative. Ai foli para dekanëve dhe anëtarëve të KD-së për objektivat e projektit HERAS+ dhe shtoi që nga të gjitha bashkëpunimet, partneriteti me UP-në për HERAS-in është i një rëndësie të veçantë. Sipas z. Emurli, ekzistojnë pritshmëritë që ky dokument, pas kalimit të të gjitha procedurave, të shërbejë si dokument orientues për institucionet e tjera të arsimit të lartë në vend.

Paneli i moderuar nga prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj – Gashi, ka vazhduar me prezantimin në tërësi të draft-dokumentit të përpiluar për matjen e përformancës së stafit akademik nga znj. Kristiina Tõnnisson, eksperte ndërkombëtare në fushën e arsimit të lartë. Tõnnisson foli për gjashtë pritshmëritë bazë të udhërrëfyesit, katër fushat e mundshme për vlerësim të stafit akademik, nënkategoritë dhe shkallët e mundshme për vlerësim të stafit si dhe kartelën e përfomancës.  

Të pranishmit në këtë punëtori patën rastin të diskutojnë rreth adaptimit të draft-udhërrëfyesit me nevojat e njësive të ndryshme akademike të UP-së dhe mënyrën e duhur për implementimin e tij në UP.

Pas perspektivave të paraqitura nga menaxhmenti i lartë dhe qendror i UP-së, anëtarët e KD-së dhe përfaqësuesit nga HERAS+, të pranishmit u dakorduan që rekomandimet të përfshihen në udhërrëfyes dhe të punojnë së bashku drejt finalizimit të tij.