UP-ja e gatshme për të vazhduar mbështetjen e sportit universitar kosovar

05 Nëntor 2021
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti ka pritur sot në takim presidenten e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës (FSUNK), znj. Diellza Shaqiri – Kelmendi. I pranishëm në këtë takim ishte edhe prof. Florim Isufi, anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së.

Në këtë takim është diskutuar rreth promovimit të sportit universitar në vend, si dhe pozicionit të sportit të studentëve në fushën ndërkombëtare.

Rektori Sahiti shprehu gatishmërinë e Universitetit të Prishtinës për të mbështetur sportin universitar, duke theksuar njëherësh sukseset e shumta që studentët sportistë të UP-së kanë shënuar ndër vite në gara të ndryshme vendore e ndërkombëtare.

Për rëndësinë e mbështetjes së UP-së për sportin në mesin e studentëve foli edhe znj. Shaqiri – Kelmendi, presidente e FSUNK-së. Ajo theksoi që studentët e UP-së janë baza më e rëndësishme e sportit universitar.

Presidentja Shaqiri – Kelmendi foli edhe për organizimin e Kampionatit Botëror në Hendboll për Universitete 2022, organizator i të cilit do të jetë FSUNK-ja, në bashkëpunim me partnerë të tjerë, përfshirë Universitetin e Prishtinës.

Të dyja palët u dakorduan për të bashkëpunuar ngushtë në organizimin e kampionatit dhe të aktiviteteve të tjera të cilat do të i shërbejnë promovimit të sportit universitar.